Mbappé, sërish lojtari më i kushtueshëm, por vlera totale e futbollistëve në rënie me 10%

Duke parë vetëm dhjetë lojtarët e parë me vlerën më të lartë, shtatë prej tyre luajnë në klubet e Premier League, ku përjashtim bëjnë vetëm Mbappe dhe Neymar (PSG) e Jadon Sancho (Dortmund).

Kylian Mbappé mund të vlejë ende 185 milionë euro dhe Harry Kane bashkë me Raheem Sterling mund të jenë ende lojtarët e dytë me vlerën më të lartë në botë, 125 milionë euro, por vlera totale e futbollistëve ka rënë më shumë se 10% gjatë pandemisë, sipas të dhënave të fundit të KPMG Football Benchmark.

“Fuqia e ulët blerëse dhe paqartësitë në përgjithësi në biznes kanë sjellë pashmangshmërisht zhvlerësimin e aseteve më të rëndësishme të klubeve – lojtarët e futbollit” – shkruan raporti i KPMG.
“Tani, një vit nga pandemia, është e dukshme që vlerat e tregut të lojtarëve nuk janë rikuperuar ende – siç tregon grafiku ynë, vlera totale e 500 dhe 100 lojtarëve më të mirë kanë rënë me 10,6% dhe 10,1% nën vlerën e kohërave para-COVID”.

Duke parë vetëm dhjetë lojtarët e parë me vlerën më të lartë, shtatë prej tyre luajnë në klubet e Premier League, ku përjashtim bëjnë vetëm Mbappe dhe Neymar (PSG) e Jadon Sancho (Dortmund).
Futbollisti i Borussia Dortmund, Erling Haaland, ka dalë nga top 10 (i 11-ti, 110 milionë euro), i cili pati një fillim viti 2021 të vështirë me Borussia Dortmund, ndërkohë Trent Alexander-Arnold ka rihyrë në top 10, me një rritje të vlerës së tregut prej 4 milionë eurosh (111 milionë euro).

KPMG thotë se mesfushori sulmues i Barcelonës, Pedri, është lojtari me rritjen më të madhe në vlerësimin e fundit në dhjetor 2020, duke fituar më shumë se 26 milionë euro në vlerë tregu. Phil Foden (Manchester City) ka fituar 20 milionë euro, ndërsa 17-vjeçari Florian Wirtz (Bayer Leverkusen) ka fituar 17 milionë euro.

Mbappé mund të jetë lojtari me vlerën më të lartë në botë, por gjithsesi ka humbur 15 milionë euro në vlerë, për shkak të përfundimit të kontratës së tij me PSG pak më shumë se një vit. Rënia më e madhe e vlerës ka qenë për Lionel Messi, kontrata e të cilit me Barcelonën mbaron në qershor. Vlera e tij ka rënë me 27 milionë euro, por gjithsesi ajo mbetet e lartë, 75 milionë euro. Delle Alli (Tottenham Hotspur) renditet i treti ndër lojtarët vlera e të cilit ka rënë më shumë, -15 milionë euro.

KPMG analizon edhe kampionatet europiane dhe sipas raportit “La Liga spanjolle ka vuajtur më shumë, ku vlera totale e futbollistëve ka rënë me 1.4 miliardë euro që nga shkurti 2020, ose 21.1%.
Vlera e tregut të lojtarëve në Premier League ra 1.1 miliardë euro, në Seria A, 500 milionë euro, ndërsa në Bundesligë, humbja ishte 400 milionë euro” – shkruan KPMG.  /monitor