Lefter Maliqi: Edi Rama do që të minojë reformën në drejtësi

Edi Rama do që të minojë reformën në drejtësi, vendi po shkon drejt përplasjes civile...

Deputeti Lefter Maliqi i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se Edi Rama do që te rrëmbejë cdo pushtet, duke shtuar se do që të minojë mes të tjerava edhe reformën në drejtësi.

“Edi Rama ka një etje për pushtet dhe do të kapë gjithcka. Ambasadorja duhet të vendosë dorën tek Rama. Ai është përgjegjës për gjithcka. Padyshim që Rama do të minojë reformën, pasi ai ka 7 vjet në qeveri, keta kanë mbjellë Shqipërinë me drogë. Ka vetëm një fajtor për Shqipërind dhe ai është Edi Rama. Mundohet me të gjitha format që të kapë Gjykatën Kushtetuese”, tha Maliqi.

Në lidhje me deklaratat e ambasadores amerikane, Maliqi u shpreh se ndoshta Yuri Kim i paraprin një përplasjeje civile, raporton BalkanWeb.

“Ambasadorja ndoshta i paraprin një situate për përplasje civile. Kemi një Edi Ramë që do gjithcka me ministra kukulla. Në cështjen e Teatrit, kishte dhunë nga policia. Rama mori reformën në drejtësi dhe do gjithcka për veten e tij. Edhe tani, ata që janë mbi 55 vjec do i heqe e do vendosë njerëz që i shërbejnë një shteti policor diktatorial”, u shpreh Maliqi.

Lefter Maliqi nënvizoi se demokracia është në rrezik shumë të madh e është i bindur se situata do të shkojë deri në përplasje civile.

“Kryeministri në dalje vetëm aktron. Rama del si shenjtan budalla. Demokracia është në rrezik e diktatura sapo ka nisur. Unë jam kritik edhe ndaj opozitës, sepse duhet kërkuar ndryshim i sistemit. Populli të zgjedhë vetë përfaqësuesin e vet. Unë nuk besoj se reforma zgjedhore do të bëhet më 31 maj e për të kaluar në qershor. Unë jam i bindur se vendi po kalon drejt përplasjes civile”, tha ai.

Më tej, Maliqi tha se Edi Rama po mban peng Gjykatën Kushtetuese.

“Po e mbajnë peng GJK. Këta duan edhe GJK që ta kthejnë si SPAK. Duan të kthejnë edhe këtë në gjykatë politike. Ata duan të kapin edhe GJK. Unë mendoj se ky po vepron si Erdogani. Po vendos forma si në Turqi”, u shpreh ai.

Në lidhje me raportin Rama – Meta, Maliqi deklaroi se ka një vit që ata kanë raporte institucionale të ftohta, duke shtuar se PS nuk del dot më forcë e parë politike në vend.

“I njoh të dy shumë mirë. Mendoj se mes tyre ka thuajse 1 vit që marrëdhëniet nuk janë të mira. Janë marrëdhënie institucionale. Kryeministri ka frikë një opozitë të bashkuar. PS me këto skandale del forcë e parë, por jo qeverisje. Bashkimi PD, plus LSI, plus PBDNJ etj dalin të parat.

Basha ka mbajtur disa kauza, por ka humbur disa të tjera, përballë një shteti dktatorial sigurisht. Aktualisht 65 mandate nuk i merr PS. Nëse bëhen të gjithë bashkë, ftiojnë përballë Partisë Socialiste. Duhet larguar kjo e keqe e madhe, e të fillojë një erë e re e qeverisjes”, u shpreh Maliqi.

Për prishjen e Teatrit Kombëtar, Maliqi tha se janë veprime banditeske të qeverisë Rama.

“Janë parë veprime banditeske të policisë në orën 4 të mëngjesit. Mua më kujtonin ca banditë. Forcat speciale të RENEAS përdoren për krime të rënda, si grabitja, terrorizmi, pengmarrja. Kush ishte krimineli aty Budina, Licaj apo kush. Kemi veprim antiligjor e dhunë e papërgjegjshme. Këta po vendosin shtet policor dhe e vetmja mënyrë është të ngrihemi. Parlamenti duhet shpërndarë”, vlerësoi Maliqi.