Liderët e grupit G20 përkushtohet për epokë të fuqishme pas COVID-19

Liderët zotohen të sigurojnë qasje të përballueshme dhe të barabartë të vaksinave kundër koronavirusit

Samiti i liderëve të grupit 20 i mbajtur nën presidencën e Arabisë Saudite përfundoi sot me një angazhim për një “epokë të fuqishme, të qëndrueshme, të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse pas COVID-19”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne, liderët e G20, duke u takuar për herë të dytë nën presidencën saudite, qëndrojmë të bashkuar në bindjen tonë se veprimi i koordinuar global, solidariteti dhe bashkëpunimi shumëpalësh janë më të nevojshme sot se kurrë më parë për të kapërcyer sfidat aktuale dhe për të realizuar mundësitë e shekullit 21 për të gjithë duke fuqizuar njerëzit, duke mbrojtur planetin dhe duke formuar kufij të rinj”, thuhet në deklaratën e samitit.

Në deklaratën e përbashkët e liderëve gjithashtu thuhet se “ne jemi të përkushtuar për të udhëhequr botën në formësimin e një epoke të fuqishme, të qëndrueshme, të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse” pas pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Ne kemi mobilizuar burime për të adresuar nevojat e menjëhershme të financimit të shëndetin global për të mbështetur kërkimin, zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e diagnostifikimit, terapeutikës dhe vaksinave të sigurta dhe efektive kundër COVID-19. Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të siguruar aksesin e tyre të përballueshëm dhe të barabartë për të gjithë njerëzit, në përputhje me angazhimet e anëtarëve për të stimuluar inovacionin”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Ndërkohë, mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, i dorëzoi presidencën e grupit G20 kryeministrit italian Giuseppe Conte.

Grupi G20 u formua në vitin 1999 si një takim i ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore pas krizës financiare aziatike.

Në Samitin e G-20 marrin pjesë: Turqia, Gjermania, SHBA-ja, Argjentina, Australia, Brazili, Kina, Indonezia, Franca, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, India, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Kanadaja, Meksika, Rusia, Arabia Saudite dhe Bashkimi Evropian, si dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Në vitin 2008 u mbajt samiti i parë i liderëve të grupit G20, ndërsa forumi luajti një rol kyç duke u ndihmuar vendeve anëtare për t’iu përgjigjur krizës globale financiare.