“Marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Shqipërisë janë karakterizuar nga bashkëpunimi i ngushtë”

Në deklaratën e përbashkët pas takimit, ministri Cakaj tha se me ministrin e Jashtëm të Zvicrës vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin mes dy vendeve

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, priti sot në një takim në Tiranë ministrin e Jashtëm të Zvicrës, Ignazio Cassis, të cilët diskutuan për bashkëpunim mes dy vendeve, menaxhimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e përbashkët pas takimit, ministri Cakaj tha se me ministrin e Jashtëm të Zvicrës vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Vlerësuam veçanërisht strategjinë e bashkëpunimit 2018-2021 e cila është e ndërtuar në katër shtylla, si në shtyllën e qeverisjes demokratike, zhvillimit ekonomik, infrastrukturës dhe shëndetësisë. Vlen të theksohet se bashkëpunimi ynë ka qenë i fortë dhe i qëndrueshëm dhe gjithnjë në rritje e sipër. Nuk është asnjëherë e tepërt ta shprehim mirënjohjen e pakufishme për ndihmën që Zvicra vazhdimisht i ka dhënë Shqipërisë”, tha Cakaj.

Ai tha se kanë biseduar edhe për nevojën për të mbyllur marrëveshjen për sigurimet shoqërore, për njohjen e lejeve të drejtimit dhe po ashtu për mundësinë e ngritjes së komisionit ekonomik mes dy vendeve dhe grupit të miqësisë mes parlamentarëve të Shqipërisë dhe Zvicrës.

“Natyrisht diskutuam edhe për zhvillimet në rajon. Po ashtu diskutuam për bashkëpunim tonë në rrafshin shumëpalësh. Vlen të theksohet se bashkëpunimi ynë ka qenë veçanërisht i frytshëm në kuadër të OSBE-së”, u shpreh Cakaj.

“Zvicra e mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”

Ministri Cassis tha se marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Shqipërisë janë karakterizuar gjithmonë nga miqësia dhe bashkëpunimi i ngushtë. “Pandemia aktuale COVID-19 ka demonstruar edhe më tej sesa e rëndësishme është që të kemi marrëdhënie të mira. Po mendoj këtu riatdhesimin e qytetarëve përkatës dhe ndihmën humanitare që kemi ofruar në situata emergjence në terren. Marrëdhëniet pozitive janë të rëndësishme, por në kohë krizash ne e kuptojmë me të vërtetë se sa forcë ka një partneritet dhe sa i fuqishëm është ai”, u shpreh Cassis.

“Partneriteti ynë afatgjatë po shikon drejt së ardhmes. Zvicra inkurajon Shqipërinë që të vijojë me përpjekjet e saj për reformat. Reformat janë të rëndësishme për shqiptarët, janë të rëndësishme për sektorin privat dhe pa diskutim që janë të rëndësishme edhe për integrimin evropian. Ballkani Perëndimor për Zvicrën dhe Shqipërinë ka rëndësi të jashtëzakonshme. Unë jam i bindur për rolin pozitiv që luan Shqipëria për të gjithë rajonin”, tha kryediplomati zviceran.

Ministri Cassis theksoi se Zvicra e mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të forcuar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor, që sipas tij ky angazhim “është në përputhje me angazhimin e Zvicrës për prosperitet, paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin”.