Lojëra fati nëpërmjet celularit, arrestohet 37-vjeçari në Tiranë. Gjatë kontrollit…

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 37-vjeçar që ushtronte aktivitetin e lojërave të fatit me anë të celularit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast…

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 37-vjeçar që ushtronte aktivitetin e lojërave të fatit me anë të celularit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive.

Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi:
– E. M., 37 vjeç, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ky shtetas u kap në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (lotarive sportive), me anë të celularit, në rrugën “Tom Plezha”, dhe gjatë kontrollit nuk i është bindur punonjësve të Policisë, për të treguar dokumentin e identifikimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.