Në prag të largimit nga Shqipëria, Soreca: Ka ardhur koha të nisin bisedimet në një kontekst të ri, në qershor ka mundësi konkrete për nisjen e negociatave

Në prag të largimit nga Shqipëria, ambasadori i BE-së Luigi Soreca ka krijuar bindjen se janë pjekur kushtet për thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE, për nisjen e bisedimeve të për anëtarësim.

Për të dërguarin e Brukselit në Tiranë, agresioni rus ka shfaqur një kontekst të ri në procesin e zgjerimit.

“Tashmë më shumë se kurrë ka ardhur koha të nisin bisedimet në një kontekst të ri, pas agresionit rus në Ukrainë. Ka një ndjesi në Bruksel, që është koha të ecet përpara dhe besoj se në qershor ka mundësi konkrete për nisjen e negociatave. Unë shpresoj shumë që qershori të jetë momenti dhe Shqipëria të përgatitet për një moment të vështirë, atë të bisedimeve. Konferenca e Parë ndërqeveritare është vetëm takimi i parë, pasi do ketë edhe shumë takime të tjera.”

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, demokratja Jorida Tabaku, duke vlerësuar shumë nisjen e negociatave zyrtare, tha se qeverisë shqiptare i mbetet shumë për të bërë.

“Në gjykimin tim kriteret nuk janë plotësuar, sepse ka pasur mangësi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Prandaj duhet të themi të vërtetat, edhe kur ka pasur arritje unë i kam thënë, sepse nuk kam xhelozi.”

I drejtpërdrejt në kërkesën e tij, socialisti Taulant Balla tha se tashmë është momenti kur BE të vendosë një datë anëtarësimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, e jo thjesht nisjen e negociatave.

“BE duhet të mendojë seriozisht sot dhe jo nesër që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë mundësinë të aksesojnë fonde strukturore, të kohezionit social dhe tregun e punës. Këto të tria duam ne si fazë të parë të anëtarësimit, pastaj se jemi në Këshillin Europian që të vendosim ndonjë veto për ndonjë komshi tjetër pastaj, nuk e duam fare, atë mbajeni.”

Shqipëri nuk është ulur ende në tryezën e negociatave me BE, edhe pse rekomandimi i parë i Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve daton vjeshtën e vitit 2016. Bllokimi i fundit vjen pas vetos që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriut, pasi procesi është vlerësuar të shkojë në bllok për dy vendet e rajoni.