Mashtroi vajzën e 55-vjeçares me COVID-19 dhe i mori 8 mln lekë, lihet në burg sanitarja

Shfaqet në gjykatë me kokën ulur...

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg sanitaren e spitalit COVID 2 Tire Alldervishi, e akuzuar për mashtrim pas skandalit me një paciente të këtij spitali, vajzës të së cilës i ka marrë 8 mln lekë duke u hequr si infermiere, masë e kërkuar edhe nga organi i akuzës.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Alldervishi e përfaqësuar nga avokatet Odeta Taçi dhe Melina Gjeta është shfaqur në Gjykatë me kokën ulur duke ka pritur vendimin e gjykatës, teksa prokurori Bledar Valikaj ka kërkuar masën “arrest me burg” me akuzën për mashtrim më shumë se një herë. Prokurori Valikaj deklaroi se sanitarja i mori 2 mijë lekë vajzës së pacientes vetëm për t’i futur celularin brenda në spital dhe se paratë i mori me pretendimin për t’ua çuar infermiereve, ndërkohë që pacientja i thoshte të bijës se nuk i jepej shërbim.

Prokurori Valikaj, tha se po hetohet nëse kemi të bëjmë me një skemë zhvatje ndaj të sëmurëve me COVID-19.
“Sanitarja i jepte kallëzueses edhe një listë me ilaçe që duhet të blinte për kurimin e së ëmës. Sanitarja Alldervishi në momente të caktuara ka kërkuar edhe 7 mijë lek, madje i cilësonte pak. Gjatë turnit të natës merrte më shumë para”, tha akuza.

Tire Alldërvishi, 58 vjeçe, sanitare te spitali “Shefqet Ndroqi” u arrestua dje nga policia. Ajo i është prezantuar si infermiere, shtetases E.S., nëna e së cilë ishte shtruar në spital në muajin dhjetor.

Sanitarja e ka mashtruar shtetasen E.S. duke i marrë para në këmbim të kujdesit për 55-vjeçaren që ndërroi jetë më 25 dhjetor, por ashtu siç është zbuluar nga mesazhet që e ndjera shkëmbente me të bijën nuk i shërbente.