Matura, jo thjesht diplomim, por maturim

Nga Evans Drishti

Vitet e gjimnazit asokohe vinin plot impenjime dhe angazhime. S’bëhej fjalë për “stresin e frikës”, por “stresin ambicioz të arritjes” së më të mirës. Që në pikënisjen e vitit “vlonte” puna për përftimin e sa më shumë njohurive, librat lexoheshin me shumë kujdes, ushtrimet zhvilloheshin me përkushtim, puna e pavarur ishte tejet intensive, puna në tabelë ishte e pashmangshme, komunikimet me mësimdhënësit ishin tejet të rregullta dhe brënda një “etike” admiruese, s’mjaftohej vetëm me një fletore klase apo shtëpie, përkundrazi në shumë raste nxënësit merrnin “blloqe” të trashë, që të ishin brënda përbrenda kontureve që kërkoheshin…
Temat, të cilat shpjegoheshin shumë qartë nga mësimdhënësit, nuk vinin thjesht si “tema mësimore”, përkundrazi konkretizoheshin në realitetin e kohës që të ishin sa më koncentruese për të gjithë… Nuk përtohej asnjëherë në “punën e pavarur”, thuajse çdo orë mësimore të gjithë nxënësit ishin mëse të ndërgjegjësuar për rëndësinë që mbarte, jo vetëm për një përmirësim të dukshëm të “shkrimit”, por edhe një “stilistikë admiruese sintaksore”…
Nuk mjaftohej asnjëherë vetëm me “librat shkollorë”, përkundrazi gazetat dhe revistat më në zë të kohës, dhe jo vetëm ishin përherë pjesë e procesit edukativ dhe kulturor, pasi çdo gjë mësohej mbi bazën edhe të realitetit dhe aktualitetit që ofronte koha… Puna në grupe ishte mëse evidente për vetë faktin se “komunikimi” realizohej mbi një “etikë të shëndetshme” dhe secili “vlerësonte” dhe “respektonte” shoqërinë si një vëllazëri…
Veprat letrare të kohës nuk “mësoheshin përmendësh” apo thjesht “subjektivisht”, përkundrazi bëheshin analiza të detajuara dhe konçize, por mbi të gjitha analiza bëhej “jo me shkrim”, por “me zë” dhe një gjë e tillë i jepte mundësi parësore të riut të kohës “të shprehej” lirisht dhe qartazi për të gjithë kontekstin e dhënë…
Të shumta ishin edhe pjesëmarrjet e të rinjve në organizime dhe evente të ndryshme që organizoheshin asokohe nga “shtëpia e pionierit” që për hir të së vërtetës ishin të përjavshme dhe të vijueshme. S’ishin thjesht çaste argëtuese, por “mobilizuese”, ku tradita gërshetohej me bashkëkohoren dhe të rinjtë ishin në koherencë të plotë me atë çfarë u kërkohej dhe çfarë duhej të bëhej në shoqëri…
Pra të rinjtë e kohës jo thjesht “diplomoheshin”, por dilnin tejet të maturuar dhe të gatshëm në marrjen e shumë përgjegjësive… Pasi të rinjtë “Lexonin”… dhe për rrjedhojë “Kuptonin”…

***
“Të rrekur” pas një diplomimi, një përfundimi të një cikli gjimnazi e më pas gjithçka si më parë, pa ndryshime, pa koherencë, pa spektra vizionesh, pa alternativa zgjidhjesh…
“Disa faqe libri” shfaqen si armiqësore apo edhe tunduese për shpirtin e vogël “djallëzor” që nuk dëshiron “të tentojë” të kapërcejë “kufijtë e parapërcaktuar”… Diku një shpjegim, diku një dëgjim, por sa më pak “lexim”, pasi “mungesa e kohës” ka sjellur “ç’orientim” për trupin dhe shpirtin e lodhur para kohe…
Një tekst i dhënë, qoftë edhe për pak paragrafë, shpërqëndron durimin e tjetërsuar që për ta vjen shumë më tepër si një ngarkesë psikologjike dhe mendore se vetë “ndjekja me kujdes” e një videoje, që thjesht është e çastit, pavarësisht se mund të sjell edhe nuanca humoristike…
I vështirë vjen gjykimi dhe perceptimi i “personazheve” dhe ndodhive” të paraqitura me aq mjeshtëri nga autorë të ndryshëm dhe klasikë, pasi “egoja mendore e djallëzuar” nuk pranon tjetër ndodhi dhe personazh veç të “vetin”… Shkrimi dhe perceptimi i një teorie gramatikore shfaqet si një “skëterrë” në dritëhijen bashkëkohore rinore, pasi për ta “nuk kryen asnjë punë”… pasi në fund të fundit terreni është i shtruar… S’ka nevojë për mundime dhe sakrifica…
“Përse të lexosh?”… A s’janë të mjaftueshme atë që shkruhen në teknologjinë madhështore të rrjeteve sociale?… A nuk mjaftojnë shkrimet “e shkurtra” në rrjetin e facebook-ut?… Ç’të kërkosh e gjen menjëherë…

Sa koshientë janë të rinjtë e sotëm për shtypin e ditës, për botimet e kohës, për të rejat dhe aktualitetet? Sa koshientë janë të rinjtë e sotëm se çfarë përbën aktualitet në realitetin e sotëm?
Është mëse e domosdoshme të njohim prejardhjen tonë… Të njohim gjeografinë e vendit tonë, të njohim traditën dhe kulturën e asaj që na bën të jemi “NE!”…
Është mëse e domosdoshme të mos kuptohen lëndët shkollore si “ngarkesa të tepërta”, si një “barrë” e detyrueshme për t’u lexuar dhe kuptuar, por të perceptohen si mjete jetike reflektimi për të kuptuar më së miri realitetin dhe atë që vjen përtej tij…
Është e domosdoshme që “vitatimi teknik” të mos merret thjesht si një orë vizatimi sa për të shtruar “ca vijëzime”, por si një mundësi tejet e thelluar për të kuptuar “strategjitë” që ofron jeta dhe përditshmëria…
Është e domosdoshme që ora e “edukimit fizik” të mos merret thjesht si një “argëtim” me një top, por si një mundësi për të fituar energji të duhura në zgjerimin e vizionit dhe horizontit në ndërtimin e strategjive…
Është e domosdoshme që “projektet” të mos menaxhohen thjesht si alternativa të “përmirësimit të vlerësimeve”, por si spektra për të kuptuar propabilitetet e të qenurit “njeriu i kohës”…
Është e domosdoshme që të mos përtohet në shfletimin e “Klasikëve” apo dhe të gjinive të larmishme, pasi çdo hapësirë e paraqitur në to është një vizion për të kuptuar rrjedhën e kohës dhe zgjidhjet e dilemave…
Le të kuptojmë gjuhën e ekonomisë, të inxhinierisë, arkitekturës, mësimdhënies, të historisë, të gjeologjisë…
Le të kuptojmë gjuhën e diplomacisë, të letrave zyrtare, të ligjërimeve,…
Le të kuptojmë gjuhën e artit, të kulturës, të pikturës, të skenës, të muzikës…
Le të kuptojmë gjuhën e artizanatit, të proverbave popullore, të folklorit, të shkrimeve të hershme…
Le të kuptojmë gjuhën e teknologjisë, jo thjesht si një “shpenzim i tharë” i kohës, por mundësi e fortë për të përftuar “të vlefshmen”…
Le të kuptojmë gjuhën e parimeve hyjnore dhe të obligimeve fetare që të perceptojmë mirësitë e ofruara…
Le të kuptojmë gjuhën shpirtërore dhe atë fizike në mënyrë që të jetojmë brenda një harmonizimi…

I shtrenjti maturant!…
Nëse sot diplomohesh mos hezito të kuptosh thelbin e këtyre “gjuhëve”, pasi vetëm i tillë quhesh vërtet “i maturuar”…
Maturimi është “identitet” prandaj identifikohu!…