Mbahet sot në “Air Albania” Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha

Sot në orën 10:00 pritet të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Më moton “Për një Parti Demokratike, më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar”, Berisha ka ftuar demokratët që të marrin pjesë në këtë Kuvend.

Rreth orës 10:00 demokratët pritet të mblidhen në stadiumin Air Albania, ku delegatët do kenë zonën e tyre të ndarë, por pjesa tjetër e stadiumit ‘Air Albania’ do jetë e hapur për gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike që duan t’i bashkangjiten punimeve të Kuvendit.

Fillimisht do të bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve, të cilët më pas do të duhet të votojnë disa qendra votimi të ngritura rreth stadiumit për propozimet e Berishës. Verifikimi i delegatëve do të bëhet në mënyrë elektronike, përmes një karte me të cilën ata janë pajisur paraprakisht.

Në Kuvendin e sotëm pritet të ketë edhe vendimarrje sa i përket “Nenit Basha”. Gazetari Ardit Hoxha raportoi se ky nen do të mundësojë që çdo kryetar i PD kur humbjet zgjedhjet e përgjithshme largohet automatikisht nga drejtimi i parisë. Ndërsa kur ai humbet zgjedhjet lokale i nënshtrohet një mocioni mosbesimi, votim nga anëtarësia.

Po kështu, ndryshimet e tjera kanë të bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të bashkive, kryetarë të degëve dhe zgjedhja e delegatëve të PD-së.

Ndërkohë burime për Euronews Albania bëjnë me dije se gjatë ditës se sotme Policia e Tiranës do jetë në gatishmëri të përforcuar për shkak të mbajtjes së kuvendit të thirrur në stadiumin ‘Air Albania’ nga Sali Berisha, ku pritet të ketë grumbullim.

Përplasjet mes Bashës dhe Berishës, erdhën pas vendimit të SHBA-së për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit, masë që pasoi me përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së më 9 shtator.

Ndërkohë më 18 dhjetor pritet të mbahet Këshilli Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha.