Mbretëresha Elisabeth këshillohet të pushojë për të paktën 2 javë

Buckingham Palace tha të premten se mbretëresha e Britanisë Elizabeth II është këshilluar nga mjekët të marrë një kohë pushimi, të paktën në dy javët e ardhshme.

Në një deklaratë për mediat, pallati mbretëror tha se monarkja 95-vjeçare mund të vazhdojë të kryejë disa detyra të lehta në tavolinë gjatë kësaj kohe, duke mos përjashtuar as pjesëmarrjen në disa takime online. Por ajo nuk do të udhëtojë në Festivalin e Kujtesës, më 13 nëntor.

“Ajo do të marrë pjesë në Shërbimin Kombëtar të Përkujtimit, më datë 14 nëntor”, thuhet në deklaratë, e cila vë në dukje një ngjarje të madhe në kalendarin vjetor të saj.

Mbretëresha britanike javën e kaluar kaloi një natë në spitalin King Edward VII në Marylebone, në Londër. Ajo, pas konsultës së përgjithshme, të nesërmen u kthye në shtëpinë e saj në Kështjellën Windsor.

Buckingham Palace të martën deklaroi se mbretëresha Elizabeth II, nuk do të marrë pjesë në samitin COP26 që mbahet në Glasgow.