Me litar mes ujit të rrëmbyer, momenti dramatik kur shpëtohet familja në Greqi

Momentet dramatike të shpëtimit të një familjeje gjermane prej pesë anëtarësh nga vërshimi i ujërave në Evia të Greqisë, tregojnë qartë situatën e rënduar me të cilën përballen banorë të ishullit e turistë të huaj në këtë kohë, kur zona është përfshirë nga shira të rrëmbyer dhe përmbytje masive.

Televizionet greke publikuan pamjet kur shiheshin turistët që rrezikonin jetën, të tërhiqeshin me shumë vështirësi nga ekipet e shpëtimit, të cilët përdorën dhe litarët për t`i nxjerrë nga ujrat e vrullshëm që bllokuan shtëpinë në të cilën ata ndodheshin.

Evia, një nga zonat më të prekura prej zjarreve të muajit gusht në Greqi, po përballet tani edhe me përmbytje të mëdha, të cilat kanë dëmtuar rrugët në veri të ishullit si dhe mbi 200 shtëpi.

Dhjetëra shtëpi u mbuluan këto ditë nga uji edhe në Thesalinë lindore ku lumenjtë dhe përrenjtë kanë dalë nga shtrati duke përmbytur rrugë, fshatra dhe të mbjella, ndërsa në Pilio sipas metereologëve ra brenda dy ditëve aq shi sa regjistrohet në Athinë në dy vjet.