Parandalohet krimi në Lezhë/ Vëllezërit rrahën vjehrrin e motrës, tentuan të merrnin armën e babait por…

Lezhë – Dy vëllezër janë arrestuar nga policia e Lezhës pasi ushtruan dhunë ndaj vjehrrit të motrës së tyre. Gjatë konfliktit, ata tentuan të merrnin armën e zjarrit në banesën e babait të tyre, por policia ndërhyri menjëherë duke bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.

Përveç dy vëllezërve, është arrestuar dhe babai i tyre pasi shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur SMT, Lezhë.

“Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku kanë konstatuar se shtetasit A. K. dhe E. K.(vëllezër) po ushtronin dhunë ndaj vjehrrit të motrës së tyre, shtetasit G. J. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, shërbimet e Policisë kanë arritur t’i neutralizojnë dhe t’i vënë në pranga 2 vellëzerit, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe ngjarjen e mundshme kriminale. 

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit L. K. (babai i dy vëllezërve), ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik me fishek në fole dhe 90 fishekë. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u arrestuan në flagrancë shtetasit: L. K., 57 vjeç, E. K., 29 vjeç dhe A. K., 27 vjeç, banues në Lezhë”, njofton policia.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Dhuna në familje “.