Meksikë, 15 të vdekur nga shembja e mbikalimit të metrosë

Zyrtarët kanë njoftuar se një pjesë e mbikalimit të metrosë në kryeqytetin Meksiko, e cila ishte nën mirëmbajtje, është shembur së bashku me vagonat mbi të, duke rënë mbi disa automjete në rrugë
Ankara

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 70 janë lënduar si rezultat i shembjes së një mbikalimi të metrosë në Meksikë me vagona mbi të, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave meksikane, të cilat publikuan edhe pamje nga vendi i ngjarjes, zyrtarët kanë njoftuar se një pjesë e mbikalimit të metrosë në kryeqytetin Meksiko, e cila ishte nën mirëmbajtje, është shembur së bashku me vagonat mbi të, duke rënë mbi disa automjete në rrugë.

Shembja e mbikalimit, i lartë 5 metra, ka shkaktuar të paktën 15 të vdekur dhe 70 të lënduar, thanë zyrtarët.

Në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipe shpëtimi.

Kryebashkiakja Claudia Sheinbaum tha po ashtu në Twitter se ka arritur në vendin e aksidentit.

Ajo njoftoi se krahas 15 të vdekurve, një automjet po ashtu ka mbetur nën rrënoja.