Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha sot se “problemet globale kërkojnë zgjidhje globale”, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur gjatë “Forumit të Diplomacisë Antalya”, të organizuar si seminar virtual, Çavuşoğlu tha: “Turqia ka bërë pjesën e saj duke mbështetur të tjerët dhe iniciativat globale”.
Turqia dërgoi furnizime mjekësore në 141 vende dhe pesë organizata ndërkombëtare, shtoi ai.
“Me këto shifra, Turqia është bërë ofruesi i dytë më i madh i ndihmës mjekësore në botë”, tha Çavuşoğlu.
Duke nënvizuar se pa e pasur ilaçin, beteja kundër pandemisë së koronavirusit “nuk ka mbaruar”, Çavuşoğlu theksoi: “Askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt. Ne të gjithë duhet të veprojmë së bashku përballë sfidave globale”.
“Është koha për të reflektuar se si mund të ndryshojmë mënyrën e të bërit gjërat për më mirë”, theksoi ai.
Seminari virtual, i titulluar “Shfrytëzimi i efekteve të pandemisë drejt bashkëpunimit rajonal në Azi”, u përqëndrua në reagimin e vendeve aziatike ndaj pandemisë së koronavirusit dhe ndikimeve të saj sociale dhe ekonomike.
Kryediplimati turk i tha komunitetit ndërkombëtar që “të shfrytëzojë luftën kundër pandemisë për dialog dhe paqe” dhe kujtoi se “ekonomitë tani janë të integruara me njëra-tjetrën më shumë se kurrë”.
“Prandaj, ne duhet të përdorim një qasje të integruar shumëpalëshe në luftën kundër pandemisë”, shtoi ai.
Çavuşoğlu gjithashtu kërkoi të “zgjerohet ndërlidhshmëria digjitale, të përmirësohet logjistika dhe infrastrukture e transportit, të sigurohen zinxhirët tanë të furnizimit dhe të forcohen aftësia ripërtëritëse e bizneseve dhe strategjia financiare”.
Ai më tej shprehu gatishmërinë e Turqisë për të “bashkëpunuar nga afër me secilin partner nga Azia/Paqësori” në përpjekjet e tilla globale.
Azerbajxhani luan rol aktiv në luftën kundër COVID-19
Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, tha se seminari “do të jetë gjithashtu një mundësi e mirë për të dhënë një pasqyrë se si Republika e Azerbajxhanit po përballet me pandeminë e koronavirusit që prej shfaqjes së saj”.
”Pandemia COVID-19 solli disa sfida dhe ndërprerje të pashembullta që kërkojnë një përpjekje mbarëbotërore për mbrojtjen e shëndetit publik. Vendet kanë marrë masa përforcuese për ndalimin, parandalimin dhe reagimin ndaj përhapjes së pandemisë nën udhëheqjen e krerëve të tyre shtetëror dhe qeverisë”, tha Bayramov.
“Azerbajxhani luan rol aktiv në luftën kundër pandemisë COVID-19 si në nivelin e brendshëm ashtu edhe në atë shumëpalësh. Deri më tani, Azerbajxhani i dha ndihmë financiare vullnetare Organizatës Botërore të Shëndetëshisë”, shtoi ai.
Ai gjithashtu theksoi rolin aktiv të Azerbajxhanit në kuadrin e Këshillit të Vendeve Turkofone.
“Azerbajxhani mori kryesimin e Këshillit të Vendeve Turkofone më 15 tetor 2019, gjatë Samitit të 7-të të mbajtur në Baku, me qëllim forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe përpjekjeve të bashkërenduara drejt arritjes së qëllimeve dhe objektivave të Botës Turkofone”, shtoi ai.
Në lidhje me tensionet e fundit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, Bayramov tha: “Përderisa e gjithë bota është e mobilizuar për të luftuar pandeminë COVID-19, Armenia u drejtohet provokimeve dhe përpjekjeve për devijim për të përshkallëzuar tensionin”.
“Më 12 korrik 2020, forcat e armatosura të Armenisë shkelën në mënyrë flagrante armëpushimin dhe përdorën artilerinë për të hapur zjarr ndaj pozicioneve të forcave të armatosura të Azerbajxhanit në rrethin Tovuz, përgjatë kufirit shtetëror midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Si rezultat i sulmeve, 12 ushtarakë, përfshirë një gjeneral major të forcave të armatosura të Azerbajxhanit dhe 1 civil është martirizuar”, shtoi ai.
Duke folur në këtë ngjarje, Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, Suzuki Keisuke falënderoi Çavuşoğlun dhe pjesëmarrësit e tjerë.
Ai tha se në kuptimin gjeografik dhe politik, Japonia ka një rol në lidhjen e Lindjes dhe Perëndimit, Azisë dhe Amerikës, duke shtuar se Turqia ka një rol të ngjashëm, si një ure që lidh Evropën dhe Azinë.
Sekretarja Ekzekutive e Komisionit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara për Azinë dhe Paqësorin, Armida Alisjahbana, nga ana e saj tha se pandemia ka treguar se sa të ndërlidhura janë ekonomitë dhe shoqëritë botërore dhe se asnjë vend nuk mund t’i përballojë i vetëm efektet ekonomike të këtsaj pandemie.



