Ministria e Shëndetësisë befason Tiranën, test tamponi të shtunën

Ministria e Shëndetësisë i dorëzoi një shkresë zyrtare klubit bardheblu, ku e njofton se i gjithë ekipi duhet t’i nënshtrohet testit të tamponit

Tirana do të jetë e detyruar të kryejë testin e tamponit pas ndeshjes së mesjavës në Ballsh ndaj Bylisit.

Pas problematikave të shkaktuara në fillim të sfidës, ku Instituti i Shëndetësisë kërkoi futjen në karantinë të skuadrës mallakastriote prej pozitivitetit të futbollistit Qardaku, tani radhën e kanë kryesuesit e kampionatit.

Ministria e Shëndetësisë i dorëzoi një shkresë zyrtare klubit bardheblu, ku e njofton se i gjithë ekipi duhet t’i nënshtrohet testit të tamponit, transmeton A2News. Kjo, pasi futbollistët dhe stafi ishin të ekspozuar ndaj Covid-19 gjatë ndeshjes në Ballsh.

Analizat do të kryhen këtë të shtunë, vetëm pak orë përpara ndeshjes në Gjirokastër me Luftëtarin.

Kërkesa e ministrisë duket sa e befasishme, aq edhe e pazakontë, sepse përpara rinisjes së kampionatit ky institucion miratoi protokollin sanitar, sipas të cilit nëse një futbollist del pozitiv me koronavirus dhe jo pjesa tjetër e skuadrës, atëherë ekipi do të vijojë aktivitetin, ndërsa vetëm sportisti i infektuar qëndron 14 ditë në izolim.