Miroslav Lajçak: Asociacioni, rezultati më i rëndësishëm i vizitës sime në Kosovë

"Pala kosovare ka konfirmuar se Kosova do t'i respektojë të gjitha zotimet, duke përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe", tha Lajçak

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se hapi më i rëndësishëm dhe më pozitiv i vizitës së tij në Kosovë është zotimi i palës kosovare për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajçak nëpërmjet një konference për media pas përfundimit të takimeve në Kosovë tha se “dialogu është tepër i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës” ndërsa BE-ja nuk ka interes për destabilizimin e Kosovës apo në prezantimin e mosfunksionalitetit të saj.

Por, ai tha se dialogu duhet t’i përmbyllë të gjitha marrëveshjet e hapura, por njëkohësisht duhet të jetë e qartë që çdo marrëveshje duhet të dalë si rezultat i kompromisit midis Kosovës dhe Serbisë, duke “çuar dialogun mbi politikat ditore”.

“Është kënaqësi të them se në të gjitha takimet partnerët e mi shprehën përkrahje për dialogun dhe mirëkuptimin se dialogu është i rëndësishëm, i mirë për Kosovën dhe konfirmuan se Kosova do t’i respektojë të gjitha zotimet, duke përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ky është rezultati më i rëndësishëm dhe pozitiv i vizitës sime në Kosovë”, tha Lajçak.

Nga rreth 25 takime në Kosovë, Lajçak ka thënë se ka parë një pasqyrë precize mbi situatën politike në vend. Në vizitën e tij të dytë në Kosovë, ai tha se procesi i dialogut “ka shënuar progres të mirë”.Lajçak: Asociacioni, rezultati më i rëndësishëm i vizitës sime në Kosovë

Sipas tij, është arritur dakordim rreth temave kryesore midis palëve, të cilat do të çojnë deri tek marrëveshja finale Kosovë-Serbi.

“Po negociojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak, i cili shtoi se me këtë marrëveshje, “synojmë të ndihmojmë stabilizimin në rajon”.

Ai tha se procesi i rifillimit të dialogut, pas heqjes së tarifës 100 për qind për mallrat serbe nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Hoti, ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe ka filluar me dy çështje konkrete. Çështjen e të zhdukurve dhe të zhvendosurve të luftës si dhe çështjet ekonomike drejt progresit.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe çështjeve të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajcak arriti të martën në Prishtinë ndërsa ka zhvilluar takime me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Avdullah Hoti, udhëheqës tjerë institucional dhe politik, komunitetin ndërkombëtarë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.