“Mosvullneti politik në Kosovë dhe Serbi, shkak për dështimin e procedimit të rasteve të krimeve të luftës”

Nga viti 1999 deri në vitin 2000 për raste të krimeve të luftës në total nga Misioni i UNMIK-ut, EULEX-it por edhe nga prokurorët vendor në Kosovë janë 117 të akuzuar

21 vite pas luftës së fundit të vitit 1999 në Kosovë drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare ende nuk ka arritur të japë një përgjigje për krimet e luftës, përkundër faktit që janë vrarë mbi 13 mijë e 500 persona, mbi 1.600 persona ende janë të zhdukur, ndërsa dëmet materiale nga lufta janë të konsiderueshme, sipas një raporti të publikuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky është konkluzioni i një raporti të bërë së fundi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili u prezantua me qëllim analizimin e rezultateve të monitorimit dhe hulumtimit sistematik të trajtimit të rasteve të krimeve të luftës nga sistemi i drejtësisë dhe të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Medina Kadriu, hulumtuese e IKD-së, thotë se Misioni i BE-së për drejtësi në Kosovë “UNMIK”, ka kontribuar në klimën e mosndëshkimeve të luftës ngase nuk ka zhvilluar hetime të menjëhershme, hetime të pavarura dhe të paanshme dhe si rezultat i kësaj “vetëm një numër i vogël i personave përgjegjës për krimet e luftës, janë sjellë para drejtësisë”.

Sipas Kadriut, përpos paaftësisë së misioneve të huaja për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për krimet e luftës së fundit në Kosovë ka qenë edhe mosvullneti politik në Prishtinë e Beograd.

“Dështimi në procedimin e rasteve të krimeve të luftës sikurse në Serbi ashtu edhe në Kosovë i atribuohet edhe faktit që ka pasur një mungesë të dukshme të vullnetit politik për të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve të luftës. Gjithashtu edhe ndërhyrjet e shumta politike në sistemin e drejtësisë si në Kosovë dhe në Serbi e kanë pamundësuar zhvillimin e hetimeve efikase ndaj të dyshuarve për krime lufte”, tha Kadriu.

Hulumtuesi Gëzim Shala tha se nga viti 1999 deri në vitin 2000 për raste të krimeve të luftës në total nga Misioni i UNMIK-ut, EULEX-it por edhe nga prokurorët vendor janë 117 të akuzuar.

Shala thotë se duke pasur parasysh balancimin e viktimave ku numri më i madh i viktimave të luftës kanë qenë shqiptarë në raport me ato serbë, “paradoksalisht ky bilanc ndryshon në rastin e të akuzuarve dhe të dënuarve për krimet nga lufta e fundit në Kosovë, pasi që numri më i madh i të akuzuarve janë shqiptarë”.

Nga 117 të akuzuarit, sipas të dhënave të raportit, 62 të akuzuar janë shqiptarë, 49 serbë, 5 malazezë dhe 1 nga komuniteti RAE (Rom, Ashkali, Egjiptian).

“Ky disbalanc etnik në kuptim të personave të ndjekur penalisht apo të dënuar për rastet e krimeve të luftës është edhe më i theksuar kur bëhet fjalë për të dënuarit për krimet e luftës së fundit në Kosovë. Përkatësisht nga 117 të akuzuar, 14 prej tyre janë dënuar dhe nga ky numër i të dënuarve 35 prej tyre janë shqiptarë që janë dënuar, vetëm 4 serbë dhe 1 malazez”, theksoi Shala.

Hulumtuesi i IKD-së, Mirvet Thaqi, i cili shpalosi disa nga rekomandimet e këtij instituti për organet e drejtësisë dhe institucionet e larta të vendit, tha se “Kuvendi i Kosovës si institucioni më i rëndësishëm kushtetues, duhet të miratojë strategjinë për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës”.

Po kështu, nga rekomandimet e IKD-së u përmend edhe se Qeveria e Kosovës duhet të ndajë buxhet të mjaftueshëm për institucionet përkatëse për të adresuar krimet e luftës në Kosovë.