Mungesa e sigurisë së ashensorëve në Tiranë, qytetarët të revoltuar

Incidenti i fundit me ashensorin e pallateve Fratari në zonën e Astirit ka rritur pasigurinë tek qytetarët. Ata thonë se paguajnë rregullisht detyrimet mujore por asnjëherë nuk njoftohen për kontrollet apo mirëmbajtjen e ashensorëve. Nga ana tjetër të mërkurën gjykata caktoi masën “arrest shtëpie” për teknikun e ashensorit që pësoi defekt duke plagosur dy gra.

Siguria e përdoruesve të ashensorëve po vihet dita ditës në pikepyetje.

Referuar dhe rastit më të fundit në zonën e Astirit, ku si pasojë e një defekti teknik mbetën të lënduar dy persona, përgjegjësia e këtij incidenti iu pasua sa administratorit të pallatit që është përcaktuar nga bashkia Tiranë aq edhe ISHMT-së, të cilët ia delegojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit.

Por sa ka ndikuar kjo tek siguria e qytetarëve?

Edhe pse përmbushin detyrimet ndaj administratorit të pallatit duke kryer pagesën në mënyrë të rregullt, qytetarët thonë se nuk kanë informacion për kryerjen e kontrolleve teknike.

“Nuk janë të sigurt fare se nuk bëhet kontroll i rregullt i ashensorëve. Administratorët duhet të kenë përgjegjësi për këtë punë, janë jetë njerëzish. Gjithë frikë kur hipi në ashensor, ka 20 vjet që nuk kontrollohen.”

“Ka 50 vjet që nuk kanë vënë dorë, marrin paratë dhe asgjë.”

Incidenti i fundit në kompleksin e pallateve Fratari në Astir duket se ka ndikuar në ndërgjegjësimin e disa administratorëve, të cilët kanë vendosur njoftime të tilla për qytetarët ku bëjnë thirrje që të njoftohen për çdo defekt teknik.

Incidenti i fundit me ashensorin ka sjellë reagime të shumta nga qytetarët, të cilët ndihen të pasigurt.

Gjykata e Tiranës ka lënë në “arrest shtëpie” teknikun e ashensorit Defrim Shabanaj, deri në daljen e aktekspertimit për shkakun e ngjarjes ku mbetën të plagosura dy gra.