Ndahet nga jeta Vildan Tufi, “Mjeshtri i Madh” i atletikës shqiptare

Lamtumirë profesor Vildan Tufi!

Trajneri i njohur shqiptar i Atletikës, Vildan Tufi është ndarë nga jeta paraditen e sotme, pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, betejën me të cilën nuk arriti ta fitojë dot.

I lindur në 14 prill të 1945-ës, Vildan Tufi ia kushtoi jetën e tij të atletikës, ku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në trajnimin e rekordmenëve e kampionëve të rëndësishëm të këtij sporti.

Vera Bregu në kërcim së gjati e së larti, Arbana Xhani në garat e shpejtësisë 100 dhe 200 metra, dhe Izmir Smajlaj në kërcim së gjati janë disa nga sportistët më të talentuar që kanë dalë nga duart e profesor Vildan Tufit.

Të tre këta kanë vendosur rekorde kombëtare që janë ende të pathyera dhe kanë marrë pjesë në gara shumë të rëndësishme ndërkombëtare, prej nga janë kthyer shumë shpesh me medalje në atdhe.

Në qershor të këtij viti Vildan Tufi u nderua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta me titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin e tij të paçmueshëm në sportin e atletikës, por në moshën 75-vjeçare nuk ia doli të fitojë betejën me sëmundjen.