Ndërron jetë në moshën 70-vjeçare autori dhe regjisori Vladimir Kasaj

Autori dhe regjisori i shumë filmave artistikë shqiptarë, Vladimir Kasaj ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare. Lajmin për ndarjen nga jeta të tij, e bënë me dije familjarët përmes një postimi në rrjetet sociale. Regjisori ndërroi jetë për shkak të një Ishemie cerebrale. Kasaj lindi në Tiranë më 12 tetor të vitit 1950. Dashuria e…

Autori dhe regjisori i shumë filmave artistikë shqiptarë, Vladimir Kasaj ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare.

Lajmin për ndarjen nga jeta të tij, e bënë me dije familjarët përmes një postimi në rrjetet sociale.

Regjisori ndërroi jetë për shkak të një Ishemie cerebrale.

Kasaj lindi në Tiranë më 12 tetor të vitit 1950. Dashuria e tij ishte kinemaja.

Ai kreu dy vite Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe pastaj vazhdoi tre vjet Institutin e Kinematografisë në Bukuresht të Rumanisë. U diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe fill më pas punoi si asistent me regjisorin e mirënjohur Dhimitër Anagnosti në filmin “Lulëkuqe mbi mure”.

Filmi i tij i parë u realizua së bashku me Spartak Pecanin , “Streha e re” – 1976; Kaloi si regjisor pranë RTSH-se duke u marrë fillimisht me ekranizimin e dramave dhe filma publicistike.

Në vitin 1978, xhiroi filmin e parë me dy seri “Ditët që sollën pranverën” si dhe filmin “Një nate nëntori” – 1979.

Përveç dramave dhe spektakleve televizive artistike në Televizion, xhiroi edhe 4 filma, ndër të cilët më i suksesshëm rezultoi “Rikonstruksioni” ne vitin 1989 i cili u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu” për regjinë më të mirë.

Ndër filmat e tjerë, mund të kujtojmë “Inxhinieri i minierës” – RTSH, 1981 / “Flaka e maleve” me dy seri– 1982, që dallohet për vlerat e spikatura regjisoriale , “Çanta e zeze” – 1984 me skenarin e Koço Devoles; Kino Komedia “Hapi sytë e zezë” – RTSH, 1984 / “Rrufeja nga mali” (telekomedi) – 1986 me skenarin e Pellumb Kulles.

Realizoi me dhjetëra teledrama me Teatrin Kombëtar, teatrin “Migjeni”, Shkodër, teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës, atë të Korçës apo Elbasanit dhe Fierit si dhe koncertin e madh të ndërrimit të viteve 1980, 1982,1984, 1987 që nga përmasat ishte produksioni më i rëndësishëm i vitit.

Ai gjithashtu ka punuar me artistët si Luftar Paja, Tano Banushi, Skënder Sallaku, Aleko Prodani, Ceken, Zef Deda, Gezim Kruja, Fadi Hasa, apo parodistët e Fierit dhe Vlorës, apo Vaçe Zela, Gaqo Cako, Avni Mula, Zeliha Sinën, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku etj.