Shtyu drejt greminës gazetaren Anila Hoxha dhe operatorin, reagon ministri: Efektivi do ndiqet penalisht

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha është dhunuar në krye të detyrës teksa raportonte nga vendi i ngjarjes ku u gjet trupi i vrarë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Gazetarja po raportonte detajet e ngjarjes ndërsa në një moment, u shty nga një efektiv.

Është pezulluar nga detyra punonjësi i policisë, i identifikuar si Sh.T., i cili shtyu gazetaren e Top Channel Anila Hoxha dhe një operator drejt greminës në Qafë Mollë, Dajt.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershëm të hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit.

Gazetarja po raportonte detajet e ekzekutimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha që ishte zhdukur prej disa ditësh, ndërsa në një moment, u shty nga punonjësi i policisë.

Efektivi ishte i nevrikosur nga fakti që mediat kishin kaluar shiritin e policisë dhe reagoi me tone të ashpra duke shtyrë gazetaren dhe operatorin. Ata u rrëzuan në tokë, në anë të një gremine. Gazetarja Anila Hoxha pësoi lëndime dhe gërvishtje nga sjellja brutale e policisë.

“Polic je ti ore. Çfarë je ti? Debil”, i thotë në një gazetarja Anila Hoxha – efektivit pasi rrëzohet në tokë.

Pavarësisht se i rrëzoi, polici nuk ofroi në asnjë moment ndihmën e tij për të ngritur gazetaren dhe operatorin që u lënduan nga sjellja e tij. Kujtojmë se gazetarja Anila Hoxha ka siguruar detaje ekskluzive rreth ekzekutimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha.

Policia e Shtetit i konsideron marrëdhëniet me median si prioritare në funksion të mirë-informimit të publikut dhe është e vendosur për të ndëshkuar çdo punonjës police që performon sjellje të pahijshme duke shpërdoruar detyrën në dëm të imazhit të Policisë së Shtetit dhe cenimit të marrëdhënieve me mediat e qytetarët.

“Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht. I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.