Në 17 komuna në Kosovë, kryetarët zgjidhen në raundin e parë

Kosova mbajti të dielën më 17 tetor zgjedhjet lokale për kryetar komunash dhe Asamblistë. Procesi u zhvillua i rregullt dhe kryesisht pa probleme ndërsa dolën në zgjedhje 43% e trupit votues.

Në Kosovë të dielën më 17 tetor u mbajtën zgjedhjet për kryetar komunash dhe asamblistë. Në zgjedhje dolën 43% e trupit votues. Ndërkaq në zgjedhjet komunale të vitit 2017 përqindja ishte 43,5 për qind. Të drejtë vote sivjet kishin afro 1 milion e 900 mijë votues. Ndërkohë, po vazhdon procesi i numërimit të votave në 38 komunat e Kosovës. Nga ora 19.00, kur edhe ka përfunduar procesi zgjedhor, ka filluar afati 24 orësh për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Lista Serbe ka fituar nëntë komuna në Leposaviq, Novobërdë, Graçanicë, Shtërpc, Partesh, Ranillug, Zveçan Zubin Potoku dhe Kllokot. Partia Demokratike e Kosovës katër komuna, Mitrovicë, Ferizaj, Hani i Elezit, Skenderaj. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dy komuna, Deçan dhe Suharekë, aq sa edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Pejën e Lipjanin. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të pare, por shkon në balotazh në numër të madh të komunave.

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti me më së shumti kandidat në balotazh, gjithsejtë 10. Pason Lidhja Demokratike e Kosovës me 7 kandidatë, pastaj Partia Demokratike e Kosovës me 6, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 3 kandidatë etj.

*

KQZ thotë se rezultatet aktuale janë vetëm preliminare

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi pak para mesnatës ka mbajtur konferencë për media, ku ka njoftuar se rezultatet aktuale që shfaqen në uebfaqen e KQZ-së janë vetëm preliminare.

“Pra rezultatet përfundimtare shpallen nga KQZ pas verifikimit dhe numërimit të votave me kusht, votave me postë, votave të personave me nevoja të veçanta, pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e numërimit dhe të rezultateve, si dhe pas përfundimit të shqyrtimit dhe vendosjes lidhur me ankesat eventuale të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Pra ju ftojmë si KQZ që të vazhdoni ti referohuni uebfaqes së KQZ-së Zgjedhjet2021.org”, tha zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

*

PDK ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm, thotë kryetari Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm në zgjedhjet lokale.

“Bazuar në të dhënat tona nga terreni dhe rezultatet e deritashme të KQZ-së, PDK ka fituar pa balotazh në Mitrovicë, Ferizaj, Skënderaj, Kacanik dhe në Han të Elezit. Ndërkaq, ne jemi në balotazh dhe me besimin e qytetarëve me 14 nëntor do ta fitojmë Prizrenin, Drenasin, Vushtrrinë, Shtimen, Dragashin, Malishevën, Klinën dhe jemi në pritje të rezultateve edhe në Fushë Kosovë. Qytetarët e vendlindjeve të Hashim Thacit e Kadri Veselit, sonte dëshmuan sërish mbështetjen e madhe për themeluesit e UÇK-së, PDK-së dhe Shtetit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

*

Rikthim i madh i LDK-së, thotë Lumir Abdigjiku

Kryetari i LDK-së Lumir Abdigjiku në konferencën e mbajtur pas mbylljes së vendvotimeve, ka thënë se LDK këtë mbrëmje të 17 tetorit e sheh si një natë e rikthimit të madh, të paralajmëruar tash e sa kohë.

“Në këtë konferencë për media jam jashtëzakonisht i lumtur të jap rezultatet përfundimtare të mbledhura nga vëzhguesit e LDK-së. Natyrisht për fillim më e rëndësishmja është ajo e Prishtinës, ku LDK ka siguruar garën për raundin e dytë dhe kemi përfunduar garën në vend të parë në këto komuna. Në Pejë me kryetar Gazmend Muhaxheri, në Lipjan me kryetar Imri Ahmeti, në Fushë Kosovë me kryetar Burim Berisha dhe jemi duke pritë në Gjilan dhe në Podujevë në Llap me rikthimin tonë të madh”, tha Abdigjiku.

*

Për Haradinaj, fitore e pritshme në gjashtë komuna

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kanë fituar në gjashtë komuna në zgjedhjet lokale, ndërsa në Istog janë në balotazh.

“Të dhënat flasin se kemi fituar në gjashtë komuna, pra në Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë, Junik dhe Deçan, ndërsa në Istog jemi në balotazh. Kjo është një fitore e pritshme për ne”, ka thënë Haradinaj.

*

VV pret fitore në komunat më të fuqishme të vendit

Në konferencën për media të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli, tha se ecuria e procesit zgjedhor tregon dëshminë për maturi e demokraci në Kosovë.

“Do të festojmë ngritjen e paprecedentë të Lëvizjes Vetëvendosje, në krahasim me zgjedhjet në raport me zgjedhjet e fundit lokale, ku numri i përgjithshëm i votave tona dhe besimit qytetar, presim që të dyfishohet. Se LVV do të dalë fituese në komunat më të fuqishme të vendit dhe do të jetë në balotazh me numrin më të madh të komunave në republikë”, ka thënë Pacolli.

*

Prizreni në balotazh, Haskuka pret fitore të sigurtë

Në qytetin e dytë më të madh të Kosovës në Prizren, si duket do të zhvillohet garë në balotazh ndërmjet kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje Mytaher Haskuka dhe kandidatit nga PDK, Shaqir Totaj. Haskuka ka shprehur besimin se fitorja në balotazh është i sigurt sepse asnjëherë në Prizren nuk ka pasur përqindje kaq të lartë të votave në raundin e parë.

“Pa marrë parasysh se e bashkohen të gjithë apo jo, se edhe tash kemi pasur edhe shtatë kandidatë të tjerë, prapë kemi arritur të kalojmë në shifër rekorde në Prizren. Prizreni kurrë nuk ka pasur në raundin e parë mbi 42%, po e kalojmë atë përqindje dhe kjo është një garanci se në raundin e dytë do të fitojmë”, tha Haskuka.

*

Totaj pret rikthimin e PDK-së në Prizren

E kandidati i PDK-së Shaqir Totaj do të jetë në balotazh për komunën e Prizrenit. Ai tha se pret fitore.

“Jemi në balotazh dhe në balotazh pas katër javësh ne do të përmbyllim procesin e rikthimit apo të fitimit të këtyre zgjedhjeve. Hapin e parë e kemi qitur sot, e hapin vendimtar do ta qesim pas katër javëve, e pastaj fillon një fazë e re e qeverisjes së mirë me njerëz të ndershëm, me njerëz profesional”, ka thënë Totaj.

*

Sami Lushtaku ia dedikon fitoren Hashim Thaçit e Kadri Veselin

Anëtari i PDK-së, Sami Lushtaku ka postuar një fotografi me ish-presidentin Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli duke uruar fitoren e PDK-së në Skenderaj.

“Urime fitorja Skenderaj. Ju falënderoj nga zemra për këtë mbështetje madhështore! Këtë fitore ja dedikojmë Presidentit Hashim Thaçi e kryetarit Kadri Veseli”, ka shkruar Lushtaku.

PDK dhe kandidati i saj Fadil Nura po prin bindshëm me rreth 60% të votave ndaj kundërkandidatit, kryetarit të deritashëm, Bekim Jasharit.

*

Rakiq thotë se pa Asociacion nuk do të ketë as institucione të Kosovës

Kryetari i Listës serbe, Goran Rakiq, ka thënë në një konferencë për gazetarë se kandidatët e Listës Serbe kanë fituar në zgjedhjet lokale në 10 komunat që janë të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Ai tha se në qoftë se nuk fillojnë bisedimet për Asociacionin në muajin e ardhshëm, nuk do të ketë më as institucione të Kosovës. Dalja më e madhe e votuesve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit është shënuar në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat janë të banuara me shumicë serbe. Në Zveçan kanë votuar rreth 84 për qind, në Leposaviq 74 për qind të votuesve etj.

*

Katërmbëdhjetë persona të ndaluar lidhur me procesin zgjedhor

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se në procesin zgjedhor të 17 tetorit janë ndaluar 14 persona si të dyshuar.

Personat e ndaluar në gjashtë raste të ndara sipas Prokurorisë dyshohen për dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votimin, falsifikim të rezultateve të votimit, pengim të procesit të votimit si dhe për veprën cenim i fshehtësisë së votimit.

Personat e ndaluar janë nga komuna e Kllokotit, Suharekës, Skenderajt, Malishevës dhe Fushë Kosovës.

Prokuroria i Shtetit thotë se do të vazhdojnë të përcjellin procesin zgjedhor deri në numërimin përfundimtar të të gjitha votave.