Zaev nuk pranon humbjen në zgjedhje: Prisni balotazhin

Kryeministri maqedonas, njëherazi Kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, në daljen e parë pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve, mohoi humbjen duke thënë se partia e tij shkon në balotazh në 36 komuna dhe në qytetin e Shkupit.

Është e mundur tha Zaev, që në raundin e dytë çdo gjë të ndryshojë në favorin e tyre, pasi sipas tij, ata kryesojnë në të gjithë komunat që shkojnë drejt balotazhit.

Zaev është po ashtu i bindur se do të fitojnë edhe në qytete të tjera të mëdha si Kumanova, ku LSDM ka pasur mbështetje gjithmonë.

Rreth 49.11% ose 842.512 votues morën pjesë në votime në zgjedhjet lokale të së dielës  në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski  tha se pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në komunën e Vevçanit me rreth 73 për qind ndërsa më e ulët ka qenë  në komunat me shumicë shqiptare në pjesën perëndimore të vendit, 30 deri në 40 për qind.

Pa pritur ende rezultatet zyrtare, partitë politike kanë dalë me informacione nga shtabet e tyre zgjedhore. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski ka thënë se kjo është një ditë historike, sepse sipas tij, partia kryesore opozitare maqedonase ka fituar në shumë komuna që në raundin e parë, gjithsej 20.

Edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka falënderuar qytetarët që treguan kulturë demokratike në zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe shpalli fitoren e BDI-së që në raundin e parë në tri komuna dhe epërsi të madhe të kandidatëve të saj në raundin e dytë.

Kryetari i Lëvizjes, Besa Bilal Kasami ka thënë se në Tetovë janë në epërsi dhe udhëheqin bindshëm në këtë komunë.

Kryetari i Partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela në daljen e tij të parë pas mbylljes së votimeve tha se partia e tij fiton dy komunat urbane, atë të Gostivarit dhe të Dibrës.