Në çadër prej tre vitesh, familja në Pezë apel shtetit: Na jepni strehë, që prej tërmetit të 2019 jetojmë në kushte ekstreme

Klodian Merepeza nga Peza, ka tre vite që jeton në kontejner, pasi shtëpia ku banonte, iu shemb gjatë tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit 2019. Ai jeton në këtë hapësirë të vogël drejtkëndëshe me bashkëshorten, 2 prindërit, e katër fëmijët e mitur. Klodiani thotë se ka tre vite që interesohet për ndërtimin e një…

Klodian Merepeza nga Peza, ka tre vite që jeton në kontejner, pasi shtëpia ku banonte, iu shemb gjatë tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit 2019. Ai jeton në këtë hapësirë të vogël drejtkëndëshe me bashkëshorten, 2 prindërit, e katër fëmijët e mitur.

Klodiani thotë se ka tre vite që interesohet për ndërtimin e një banese të re, e ka ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme, por deri më tani pa rezultat. Ai fajëson qeverinë për neglizhencë.

E shoqja e Klodianit, rrëfen mes lotësh se merakoset vetëm për fëmijët. Ata nuk kanë ku të mësojnë dhe kanë frikë nga egërsirat, që mund të zbresin nga maja e kodrës pranë banesës së tyre. Më të vështirë e ka komunikimin me vajzën e madhe, që sapo ka përfunduar klasën e 7-ë dhe ngjitet në të 8-n. Pyetja që e mundon më tepër, e që ajo nuk di se si t’i japë përgjigje është: “Po unë përse nuk kam një shtëpi si të gjitha shoqet”.

Bashkë me Klodianin jetojnë edhe prindërit e tij. E ëma, thotë se jeta e saj tashmë është e përqendruar vetëm te problemi i djalit dhe si nënë, kërkon që edhe ai të ketë një strehë të rehatshme ku të rrisë fëmijët.