Në janar fillon puna për ndërtimin e bazës së NATO-s në Kuçovë

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se në janar nis puna për ndërtimin e bazës së NATO-s në Kuçovë.

Ai sqaroi se procesi i shpronësimeve do të ndiqet sipas gjithë rregullave ligjore dhe nuk do të ketë vonesa, ndërsa menjëherë pasi gjithë procesi të përfundojë do të fillojë puna për investimin që shkon deri në 50 milion euro.

“Në ditët e para të janarit ne do të vendosim gurin e parë të bazës taktike të Kuçovës, një bazë taktike e NATO-s, një lajm shumë i mirë edhe për familjet që preken nga vendimi i sotëm i shpronësimit,” – deklaroi ministri. Ndikimi i këtij investimi, sipas Peleshit, do të jetë në gjithë zonën sepse do të ketë rritje të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit.

Ndërkaq, ministri e konsideroi lajm të mirë edhe për rajonin për shkak të rritjes së sigurisë kombëtare dhe të rajonit.

Vendimi, i cili ishte propozim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe që lidhet me projektin më madhor në fushën e zhvillimit të infrastrukturës të Forcave të Armatosura, u miratua në mbledhjen e të enjtes nga Këshilli i Ministrave.