Në kërkim të valixhes së katërt/ Çiftit shqiptar që u gjetën të copëtuar në Itali i mungojnë gjymtyrët e poshtme të burrrit, del autopsia e gruas: U rrah për vdekje dhe iu thyen kockat

Mësohet se policia po kontrollon të gjithë zonën me qentë e specializuar për kërkime në mënyrë që të gjendet një tjetër valixhe me gjymtyrët që mungojnë.

Grupi hetimor në Itali janë vënë në kërkim të një valixheje të katër, pasi burrit shqiptar Shpëtim Pasho që u gjet i vdekur dhe i copëtuar në valixhe bashkë me të shoqen, Teuta, i mungojnë gjymtyrët e poshtme. Mësohet se policia po kontrollon të gjithë zonën me qentë e specializuar për kërkime në mënyrë që të gjendet një tjetër valixhe me gjymtyrët që mungojnë.

Nga ana tjetër, ka dalë edhe autopsia e gruas. Teuta Pasho është rrahur barbarisht pasi kishte shumë hematoma në fytyrë dhe kocka të thyera, dëmtime që dyshohet se i kanë shkaktuar vdekjen.

Ngjarja e rëndë u raportua një ditë më parë nga mediat italiane. Burrë e grua u gjetën të copëtuar dhe të futur në tre valixhe, pesë vite pas zhdukjes. Ata u gjetën pranë burgut ku ka vuajtur dënimin djali i tyre për trafik droge, nga ku mendohet të ketë marrë shkak edhe vrasja. Nuk përjashtohet edhe një tjetër pistë, ajo e një sherri me të dashurën e djalit.