Në Kosovë hyrja në lokale vetëm me certifikatë të vaksinimit apo test negativ, nga 27 shtatori

Nga 27 shtatori qytetarët në Kosovë do të mund të hynë në lokale vetëm me certifikatë të vaksinimit apo test negativ. Këtë paralajmërim e ka bërë sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Me masat aktuale gastronomet lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit të tij në Komisionin për Shëndetësi ka paralajmëruar se nga dita e hënë e javës së ardhshme të gjithë personat që do të hyjnë brenda hapësirave të lokaleve do të zbatohen masat e reja kufizuese.

Sipas Vitisë, ata që frekuentojnë lokalet duhet të kenë me vete certifikatën e vaksinimit ose test PCR apo serologjik.

“Sa i përket gastronomisë ndër sektorët më të goditur nga pandemia jemi në kontakt edhe tani dhe me miratimin e tyre jemi dike hartuar masat që edhe në gastronomi të aplikohet nga 27 shtatori masa kufizuese e personave që hyjnë brenda këtyre lokaleve vetëm me certifikata të vaksinimit, test PCR apo serologjik me shifrat dhe numrat e vaksinimit. Një masë e tillë nuk është besoj më penguese as për sektorin e gastronomisë”, tha ai.

Ai thotë se shpreson që do të ketë konsensus të subjekteve politike që gjendja në shëndetësi të ndryshoj.

“Duhet përkujtuar që pas rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 dhe numrit të vdekjeve, Qeveria e Kosovës pati marr vendim për rikthimin e masave antiCOVID, ndër to edhe ora policore. Por gjatë ditëve të fundit është vërejtur një rënie e numrit të rasteve të reja me koronavirus”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vlerëson se falë masave që ka ndërmarrë Qeveria, është ulur numri i rasteve me COVID-19 në vend.

Ai në raportimin para deputetëve në komision parlamentar tha se Kosova ka menaxhuar mirë situatën, edhe pse krahasuar me vendet e rajonit, popullata është më pak e vaksinuar.

“Masat e ndërmarra kanë dhënë rezultat duke shënuar ulje të rasteve, përkundër që shkalla e vaksinimit krahasuar me vendet e rajonit ka qenë më e ulët”, tha Vitia. Aktualisht në Kosovë janë mbi 7.000 raste aktive me COVID-19.

Në vendimi e Qeverisë tek masat antiCOVID-19 thuhet shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.

“Ndalohet shërbimi në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00”, thuhet në vendim.

Në fuqi do të vazhdojë të mbetet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 05:00.