10.5 C
Tiranë
E hënë, 29 Nëntor, 2021

Netanyahu nuk përjashton mundësinë e invazionit tokësor në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sot tha se 4.000 raketa janë shkrepur nga Rripi i Gazës në Izrael që nga 10 maji, raporton Anadolu Agency (AA).

“Palestinezët qëlluan rreth 4.000 raketa nga Gaza mbi Izraelin gjatë operacionit ushtarak izraelit që filloi dhjetë ditë më parë”, tha Netanyahu në një konferencë shtypi para më shumë se 70 ambasadorësh dhe diplomatësh të huaj, kryesisht nga SHBA-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Gjermania, India, Austria, Australia, Japonia, Kanada dhe të tjerë.

Netanyahu tha se ushtria izraelite synon një “parandalim me forcë” kundër grupeve palestineze në Gaza. Ai, megjithatë, nuk përjashtoi një operacion tokësor për t’i “pushtuar ata”.

Kryeministri izraelit tha se nuk ka asnjë afat kohor për t’i dhënë fund ofensivës ushtarake në Gaza.

Së paku 221 palestinezë kanë humbur jetën, duke përfshirë 63 fëmijë dhe 36 gra, dhe 1.530 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në gjithë territorin e bllokuar që nga 10 maji, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Dymbëdhjetë izraelitë po ashtu kanë humbur jetën nga raketat palestineze nga Rripi i Gazës.

Tensionet e fundit që filluan në Kudsin Lindor gjatë muajit të bekuar musliman të Ramazanit u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme