“Njohja e pavarësisë së Kosovës nga 5 vendet e BE-së e kthen perspektivën e saj në integrim evropian”

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, para darkës së përbashkët me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, kryeministri Kurti u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borrell

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Polikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell ka marrë pjesë mbrëmë në darkën tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, para darkës së përbashkët kryeministri Kurti u takua me Përfaqësuesin e Lartë, Borrell, gjatë të cilit takim ai konfirmoi interesimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të përparuar drejt integrimit evropian.

Në një adresim të shkurtër para fillimit të darkës, kryeministri Kurti tha se Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe progresit që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se ai duhet të mbrohet me çdo kusht.

Ai shtoi se me miqtë dhe kolegët e palës kosovare në Bruksel, “duhet të diskutojmë për zbatimin e reformave në vendin tonë dhe në anën tjetër për nevojën për njohjen e Republikës së Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse, ashtu që perspektiva evropiane të kthehet në integrim evropian”.

Pas darkës, Kurti në deklarimin e tij para medieve tha se theksi i diskutimit ishte te raporti i Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe nevojën e afateve për avancimin sa më të shpejtë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian. Ndërsa theksi i tij ishte te nevoja për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës dhe investimeve në ekonomi, të cilat e zvogëlojnë emigrimin dhe e rrisin punësimin posaçërisht të të rinjve.

Darka tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor bëhet nën organizimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe shërben si mundësi e mirë për diskutim të përbashkët mbi zhvillimet në rajon, bashkëpunimin bileteral me BE-në dhe rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.