Nga aksidentet po humbasin më shumë jetë se nga krimi vetë

Aksidentet vrasin më shumë se krimi/ Fajësohen rrugët, celularët dhe alkooli

“Ashpërsimi i Kodit Rrugor dhe shumëfishimi i gjobave”; ky është propozimi i Ministrisë së Brendshme për vitin 2020.
Kjo përfshin përdorimin e celularit gjatë drejtimi të mjetit, parakalimet e gabuara si dhe rikthimin e këshillimit, pra lënia e gjurmëve në historikun e shkeljeve të drejtuesit të mjetit. Sipas Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, aksidentet rrugore shkaktojnë 5 herë më shumë viktima sesa krimi.

“Kemi shumë të vrarë në rrugët e vendit, dhe ky numër duhet të ulet në mënyrë të vazhdueshme. Po ashtu duhet të ulet dhe numri i aksidenteve dhe i dëmeve të tjera, që sjell mosrespektimi i rregullave në rrugë, dëme në plagosje, dëme të panumërta materiale e të tjera me radhë. U përmend celulari, mbetet një burim shqetësues aksidentesh në rrugët e vendit, e duhet të merren po ashtu masa për ta kufizuar, mundësisht ndaluar rreptësisht, përdorimin e tij gjatë drejtimit të automjetit. Alkooli po ashtu meriton prapë vëmendje të re, për arsye se prapë ka shumë raste”, shprehet Lleshaj.

Por shkak i aksidenteve nuk janë vetëm drejtuesit e mjeteve.

“Disa nga rrugët nuk përmbushin kushtet dhe parametrat teknike. Para së gjithash është eliminimi i njollave të zeza ato që krijojnë kryesisht, aksidente jo vetëm në dëme materiale, apo plagosje, por hedhe në humbje jetësh, çka është e papranueshme për të gjithë ne”, ka thënë Balluku.

“Siç është rrethrrotullimi i TEG-ut ku në një segment kohor prej tre muaj kemi pasur 7 aksidente me pasoja fatale, apo rrethrrotullimi i Kolonjës, ku në vetëm dy muaj kemi pasur 5 aksidente me pasoja fatale”, shprehet Ardi Veliu.

Eksperti rrugor Gëzim Hoxha, e vlerësoi pozitivisht këtë nismë të Ministrisë së Brendshme, e cila këtë herë ka përfshirë edhe aktorë të shoqërisë civile, por që sipas tij, çështja duhet të shihet më me kujdes.

“Kodi Rrugor kërkon një thellim të mëtejshëm dhe mund të ketë gjëra të tjera për të shtuar dhe për të ashpërsuar masat dhe natyrisht për të gjetur ekuilibrat, që qytetarët të mos cenohen në ato raste kur nuk është e nevojshme, por të jenë vetëm në ato raste kur ata bëjnë shkelje të vërteta”, tha Gëzim Hoxha.

Ndërkaq, këto masa pritet që të diskutohen më tej gjatë muajit shkurt, kur do të mbahet edhe një konferencë më e gjerë lidhur me ashpërsimet në Kodin Rrugor./Andi Bora/