Nikos Kotzias: Marrëveshja me Egjiptin na dobëson në negociatat e ardhshme me Shqipërinë e Turqinë

Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, deklaroi të premten se marrëveshja e re për përshenjimin e zonave të juridikisionit detar mes vendit të tij dhe Egjiptit, dobëson dorën e Greqisë për të negociuar me Shqipërinë dhe Turqinë në të ardhmen.

Në postimin e bërë nga rrjetet sociale, Kotzias kritikoi të ashtuquajturën marrëveshje të juridiksionit detar që Greqia ka nënshkruar me Egjiptin.

Ai tha se marrëveshja e Zonës Ekskluzive Ekonomike që Egjipti ka nënshkruar me Administratën Grekoqipriote, është bërë nën parimin e “kufirit të mesëm”, ndërsa në atë me Greqinë është marrë parasysh gjatësia e vijës bregdetare.

“Prandaj, kur është përcaktuar vija në mes, Egjiptit i ka takuar 55% dhe Greqisë 45%. Në një farë mënyre, kjo është një qasje e afërt me kërkesën e Turqisë”, tha ai, raporton TRT.

Ish-kryediplomati grek vuri në pah gjithashtu se vendi i tij, ashtu si në shembullin e Italisë, edhe në këtë marrëveshje ka bërë kompromis duke shtuar se Greqia me këtë hap “ka dobësuar fuqinë e saj negociuese me Shqipërinë dhe Turqinë në të ardhmen”.

“Fatkeqësisht, në këtë marrëveshje vetëm Greqia bëri kompromis, ndërsa Egjipti nuk është tërhequr në asnjë pikë”, u shpreh Kotzias.

E ashtuquajtura “marrëveshje për përshenjimin e zonave të juridiksionit detar” ndërmjet Egjiptit dhe Greqisë u nënshkrua të enjten në Kajro nga ministri egjiptian i Punëve të Jashtme, Sameh Shoukry dhe homologu i tij grek, Nikos Dendias.

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë reagoi ndaj “të ashtuquajturës marrëveshje” duke theksuar se Greqia dhe Egjipti nuk kanë asnjë kufi detar të ndërsjellë dhe se marrëveshja është “e pavlefshme” për Ankaranë.

Ajo shtoi se zona e përshenjuar në marrëveshje është pjesë e platformës kontinentale të Turqisë, siç është raportuar nga Ankaraja në OKB.

Ndërkohë, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis i Greqisë tha se marrëveshja me Egjiptin është “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” dhe pretendoi se kjo është “një marrëveshje legjitime që kënaq plotësisht të dyja vendet”.