Një komb në krizë duhet të dalë mbi vetveten

Nga Redi Shehu

Edhe pak ditë na ndajnë nga data 30 Qershor dhe situata politike, sociale dhe psikologjike e shqiptarëve sa vjen duke u rënduar. Kjo datë tashmë është kthyer në kufirin mes rracionales dhe irracionales, paçka se e arsyeshmja dhe e paarsyeshmja përzihen me njëra-tjetrën duke e humbur kuptimin e secilës prejt tyre.  Ndodhemi  jo vetëm thjesht në kufijtë e kapërcimit ligjor, por mbi të gjitha, si asnjëherë tjetër, ndodhemi në kufijtë e kapërcimit psikik të establishmentit politik shqiptar.

Ka ndodhur thjesht që provat dhe faktet e përgjimeve, tregojnë se manipulimi i votës qytetare ka arritur maksimumin e vet duke konfirmuar faktin se Shqipëria është padyshim një demokraci totalitare, sepse përfaqësuesit politikë tek ne, mund të zgjidhen saktë ligjërisht, por ama zgjedhësit e tyre pastaj, kanë pak ose aspak mundësi të bëhen pjesë e proçeseve të vendimmarrjes, pikërisht për shkak të transformimit dhe keqpërdorimit të votës së tyre. Në raste të tilla, lidhja mes një përfaqësimi të drejtë juridikisht dhe pasja e një elektorati fasadë, i cili nuk mund të ketë më fuqinë për të ndryshuar e përmirësuar gjërat, duhet të bëhet përmes një mekanizmi i cili edhe proçesin politik nuk e dëmton, pra i jep legjitimitet demokratik atij, por edhe masën e votuesve e mpin dhe e neutralizon.

Ka ndodhur që, për katër muaj protesta të opozitës së bashkuar e kanë sfilitur jo vetëm jetën sociale të vendit por edhe atë psikologjike të saj. Ka ndodhur që pasi Presidenti i Republikës dekreton datën e zgjedhjeve lokale sipas tagrit që kushtetuta i jep, ta ç’dekreteojë atë pak javë më vonë duke e futur vendin në kolaps ligjor për shkak të mungesës së Gjykatës Kushteuese. Ka ndodhur që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ta bëjë nul aktin e Presidentit dhe më pas Parlamenti i Shqipërisë, ta konfirmojë atë me 100 vota pro dhe të fillojë proçedurat e shkarkimit të Presidentit. Ka ndodhur që Presidenti të kërcënojë me shpërndarjen e parlamentit dhe me faktin se nëse qeveria do vazhdojë me agjendën e saj elektorale, do të komandojë ushtrinë për ta penguar një gjë të tillë. Ka ndodhur që Prokuroria  e Krimeve të Rënda të kërkojë kapjen me forcë të kryetari të Partisë Demokratike dhe ta sjellë forcërisht në seancë dëgjimore për një hetim lidhur me lobimin rus në Amerikë. Ka ndodhur që disa KZAZ në Tropojë, Shkodër, Burrel janë dhunuar dhe u është  vënë zjarri.

E çfarë mund të kërkojë njeriu më shumë se kaq për t’i bërë varrin vetes dhe vendit të vet? Sigurisht që për herë të parë ndodhemi në një situatë të kolapsit institucional dhe ndarja politike e jona, e karakterizuar nga frontet e majta dhe të djathta, ka mbërritur në kulmin e vet dhe rrezikon që ta transformojë situatën aktuale nga një gjendje e luftës së ftohtë civile, në një luftë vërtet civile mes popujve të majtë dhe të djathtë. Ka një ide që qarkullon shpesh në tavolinat kafeve ose thënë ndryshe “parlametit të popoullit”, e cila thotë se strategjia e publikimit të përgjimeve do të ndjekë të njëjtën rrugë edhe në Shqipëri, duke garantuar të njëjtin rezultat. Siç edhe e dimë, bombat e plasura nga Zaevi në formën e përgjimeve, sollën rrëzimin e qeverisë së Gruevskit dhe fitoren elektorale të aleancës së udhëhequr nga Zaev. Për pasojë mbështetësit e kësaj ideje, thonë se publikimi i përgjimeve nga gazeta “Bild”, në të cilat implikohen funksionarë të majtë në blerjen dhe devijimin e votës qytetare, do të shkaktojnë të njëjtin efekt si në Maqedoninë Veriore, duke sjellur rrëzimn e pashmangshëm të kryeministrit Rama.

Por, këtu ka një problem në lidhje me kontekstin. Situata në Shqipëri si dhe ambienti politik është krejtësisht i ndryshëm nga ai që ndodhet në vendin fqinj.  Krahasuar me votën maqedonase, vota shqiptare ka një karakteristikë e cila lidhet ngusht me të qenurit votë gjenetike dhe krahinore më shumë se sa votë politike. Kjo ka qenë një karakteristikë e vjetër e votës  shqiptare e cila gjatë këtyre tre dekadave ka bërë shpesh që Partia Socialiste të fitonte zgjedhjet për shkak te maxhoritetit të votës së majtë. Prandaj, preçedenti maqedonas, mund të mos funksionojë në rrëzimin e kryeministrit Rama, pikërisht për shkak se protestat prej katër muajsh kanë homogjenizuar votën e majtë e cila tenton të shfaqet më shumë se sa votë politike, shfaqet si votë identitare të një identiteti socialist i cili forcohet përtej zhvillimeve politike në Shqipëri.

Data 30 Qershor është kthyer në matësin e forcës politike mes dy blloqeve, partisë në pushtet dhe bllokut opozitar i cili tashmë udhëhiqet hapur nga Presidenti i Republikës. Ndarja është aq e qartë  e madhe dhe e thellë, saqë rrezikon të kthehet në kufirin e pakapërcyeshëm dhe të papërtypshëm psikologjik mes dy tipologjive të shqiptarit, atij të majtë dhe të djathtë. Këtu sensi i nacionalizmit dhe atdhedashurisë, u provua edhe një herë se është vetëm një ndjenjë sportive më shumë se sa një ndjenjë humane, e cila nuk ka aftësinë të shërbejë si ilaç për të shëruar tërbimin politik drejt një zgjidhjeje që anon në favor të interesit kombëtar.

Një komb dallon kur ai arrin të dalë mbi vetveten, kur ai del mbi zullumqarët e vet, kur ai di të dallojë dhe të distancohet nga keqbërësit e vet. E si mund ta bëjë këtë shtrohet pyetja ? Thjesht duke dale nga spiralja e përkatësisë së ngushtë partiake, e cila të fut në pyllin e militantizmit që errëson logjikën e ftohtë dhe mpin kapacitetin për të përmirësuar gjërat. Në raste të tilla, kur konflikti dhe kontradiksioni është aq i lartë saqë kthehet në ndarësin më të madh të vetëdijes kombëtare,  kalimi në një “pozicion të pacaktuar” politik si fazë e ndërmjetme, është i domosdoshëm për të filluar ringritjen dhe dalë nga kurthi i të këqijave më të vogla politike të cilat na kanë prangosur këta tridhjetë vitet e fundit.