Një valë e re infektimesh sjell kufizime në shumë vende të botës

Italia vendosi kufizime tri ditëshe të shtunën, duke ndaluar grumbullime të mëdha në Sheshin e Shën Pjetrit për të dytin vit radhazi.

Miliona vetë në mbarë botën janë nën urdhra të reja për të kufizuar aktivitetet në prag të Pashkëve, si rezultat i shtimit të infeksioneve nga koronavirusi, megjithë vazhdimin e vaksinimeve.

Italia vendosi kufizime tri ditëshe të shtunën, duke ndaluar grumbullime të mëdha në Sheshin e Shën Pjetrit për të dytin vit radhazi.

Në Francë, të dielën hyjnë në fuqi masa të reja, pasi në këtë vend po përhapet me shpejtësi një variant i ri më infektues që ka sjellë mbushjen e reparteve të reanimacionit në spitale. Edhe Belgjika dhe vende të tjera evropiane kanë reaguar me masa të ngjashme.

Në Gjermani, pandemia ka thelluar mosbesimin ndaj autoriteteve. Presidenti Frank-Walter Steimeier u bëri thirrje gjermanëve të bashkohen ndërsa vendi përballet me Pashkët e dyta radhazi të shoqëruara me rritje të infektimeve dhe pakënaqësi lidhur me masat qeveritare.

Në Evropë, ritmet e vaksinimit kanë qenë zhgënjyese. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm 10% e evropianëve kanë bërë një dozë vaksine dhe pak më shumë se 4% janë të imunizuar plotësisht kundër COVID-19.

Në anën tjetër të Atlantikut, provinca kanadeze e Ontarios është nën raundin e tretë të masave kufizuese që duke filluar nga e shtuna do të reduktojnë aktivitetin për 28 ditë. Edhe në Kanada ka pasur përhapje të varianteve të reja më ngjitëse të koronavirusit. Përveç Ontarios, edhe provincat e Kebekut dhe “British Kolumbias” kanë vënë kufizime.

Brazili po përjeton një nga goditjet më të rënda të kësaj pandemie pasi varianti i ri i zbuluar për herë të parë në këtë vend vazhdon të përhapet duke alarmuar mbarë Amerikën Latine, transmeton VoA.

Bolivia ka mbyllur kufirin me Brazilin; Kili ka mbyllur plotësisht kufijtë dhe Ekuadori e Peruja kanë vënë në zbatim masa kufizuese.