OBSH: Numri global i të vdekurve nga COVID-19 mund të jetë dy deri në tri herë më i lartë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se numri global i të vdekurve nga koronavirusi (COVID-19) mund të jetë dy deri në tri herë më i lartë se shifra prej 3.4 milionë që ka konfirmuar organizata, transmeton Anadolu Agency (AA).

OBSH njoftoi raportin i cili përfshin Raportin e Statistikave të Shëndetit Botëror 2021 dhe parashikimet globale për normën e vdekjeve në rritje nga COVID-19.

Në raport thuhet se që nga 31 dhjetori 2020 parashikimet paraprake treguan se numri i përgjithshëm i vdekjeve globale që mund t’i artibuohen pandemisë së COVID-19 në vitin 2020 janë të paktën 3 milionë dhe se kjo nënkupton 1.2 milionë më shumë vdekje se sa shifra 1.8 milionë që është njoftuar zyrtarisht.

Sipas parashikimeve, shifra 3.4 milionë vdekje me burim COVID-19 që i është njoftuar aktualisht OBSH-së konsiderohet e mangët në masë të madhe, theksohet në raportin në të cilin bëhet e ditur se shifra e vdekjeve është 2-3 herë më e lartë.

Zëvendës drejtoresha e Përgjithshme, Samira Asma e cila është përgjegjëse për të dhënat dhe analizat e OBSH-së, lidhur me raportin ka dhënë informacione nëpërmjet video-konferencës në Gjenevë.

Në pyetjen e gazetarit të AA-së lidhur me numrin e vdekjeve globale nga COVID-19, Asma tha: “E dimë që deri në këtë muaj zyrtarisht janë raportuar 3.4 milionë vdekje. Por, kjo shifër mund të jetë me të vërtetë 2-3 herë më e lartë”.

“Kur shikojmë numrin e vdekjeve në mbarë botën në vitin 2020 dhe përpara kësaj, deri më tani për shkak të COVID-19 mund të kenë vdekur 6 deri në 8 milionë njerëz”, tha Asma e cila paralajmëroi se pandemia është ende në rritje.

Asma informoi se pandemia vazhdon të përhapet dhe se vazhdon rritja e numrit të viktimave si pasojë e COVID-19 në vendet e Amerikës Latine dhe kryesisht në vendet e Azisë si Indi dhe Nepal.

Ajo bëri të ditur se në shumë vende ka probleme në raportime lidhur me arsyet e vdekjeve. “Për këtë arsye, OBSH-ja u bën thirrje të gjitha vendeve që të zhvillojnë dhe të investojnë në sisteme të fuqishme të dhënash dhe të informacionit shëndetësor”, tha Asma.