OBSH vlerëson sigurinë e AstraZeneca – Në disa vende pezullohet përdorimi i vaksinës deri në një hetim përfundimtar

Italia dhe Austria kanë ndaluar përdorimin e kësaj vaksine në disa grupe të caktuara individësh si një masë paraprake.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u shpreh se po shqyrtohen sistematikisht sinjalet e sigurisë dhe po vlerësohen me kujdes raportet aktuale mbi vaksinën AstraZeneca.

Një numër vendesh si Danimarka, Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Tailanda si dhe disa rajone në Spanjë kanë pezulluar përhapjen e vaksinës AstraZeneca,  pas raporteve të mpiksjes së gjakut tek disa individë që e kanë marrë atë.

Italia dhe Austria kanë ndaluar përdorimin e kësaj vaksine në disa grupe të caktuara individësh si një masë paraprake.

“OBSH është në dijeni se disa vende kanë pezulluar përdorimin e vaksinave AstraZeneca bazuar në raportet e mpiksjes së gjakut në disa njerëz që morën doza të vaksinës. Kjo masë u mor paraprakisht  ndërsa një hetim i plotë është  duke u përfunduar. E rëndësishme është të vëmë theksin tek  raporti i Agjencise Evropiane së Barnave që është shprehur se momentalisht nuk ka asnjë tregues për një lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut dhe se vaksina mund të vazhdojë të përdoret ndërsa hetimi i saj po vazhdon “, tha Tedros.

Komisioni Evropian u shpreh gjatë javës se vaksina AstraZeneca është ende e sigurt për t’u përdorur, duke shtuar se Agjencia Evropiane e Barnave kishte miratuar një rishikim paraprak për rastin në Austri “ku ata thanë se nuk ka ndonjë tregues specifik që vaksinimi të ketë çuar në këto rezultate “.

Në përgjigje të raporteve të mpiksjes së gjakut, AstraZeneca u shpreh ndërkaq, se nuk kishte “asnjë provë të një rreziku në rritje” të mpiksjes së gjakut dhe se do të mbështesë hetimin. /scan