OKB, seancë urgjente për luftimet mes Izraelit dhe palestinezëve

Dje, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk e përfilli thirrjen e Presidentit amerikan Joe Biden për "një ulje domethënëse" të bombardimeve nga ana e Izraelit.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mbajë sot një seancë urgjente, për të shqyrtuar luftimet midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës.

Seanca është kërkuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe grupi i vendeve arabe në Kombet e Bashkuara.

Një numër ministrash të jashtëm do të marrin pjesë personalisht në seancë. Kjo është hera e parë që në selinë e OKB-së në Nju Jork mbahet një takim i tillë i nivelit të lartë që nga fillimi i pandemisë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili ka bërë thirrje për një ndalim të menjëhershëm të konfliktit, do të drejtojë seancën e posaçme.

Sot, shkëmbimet me raketa mes Izraelit dhe palestinezëve u intensifikuan më tej. Sulmet ajrore izraelite goditën qytetin e Gazës si dhe qytetet Deir al-Balah dhe Khan Younis.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas shkoi të enjten në rajon për t’u takuar me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë. Ai e quajti vizitën “një shenjë solidariteti me njerëzit nga të dyja palët që siç tha ai, ditë e natë kanë frikë për jetën e tyre, ndërkohë që Izraelit i duhet të mbrojë veten ndaj terrorit të Hamasit me raketa”.

“Ka të bëjë me atë se si mund të kontribuojë bashkësia ndërkombëtare për t’i dhënë fund dhunës dhe për një armëpushimi të qëndrueshëm,” shkroi ai në Twitter. “Ne duhet të bisedojmë se si t’u hapim rrugën negociatave të paqes.”

Dje, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk e përfilli thirrjen e Presidentit amerikan Joe Biden për “një ulje domethënëse” të bombardimeve nga ana e Izraelit.

Zoti Netanyahu tha në një deklaratë se ai është “i vendosur ta vazhdojë këtë operacion derisa të arrihet qëllimi i tij”.

Ai tha se “e vlerësonte shumë mbështetjen e presidentit amerikan”, por se Izraeli do të vazhdonte përpjekjte për t’u kthyer qetësinë dhe sigurinë qytetarëve të tij.

Deri mbrëmë vonë, numri i të vdekurve ishte 227 në Gazë, përfshirë 64 fëmijë, sipas zyrtarëve të atjeshëm të shëndetësisë dhe 12 në Izrael, sipas autoriteteve izraelite.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden i kishte deklaruar zotit Netanyahu “se priste një çtensionim domethënës në rrugën drejt një armëpushimi”.