Telefonia raportoi 270 milionë euro të ardhura në 2020, tkurrje nga përdorimi i aplikacioneve

Volumi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në rrjetet mobile, arriti në rreth 89 milionë GB. Kjo përbën një rritje rreth 28.6% krahasuar me vitin 2019.

Telefonia pësoi tkurrje të të ardhurave në vitin 2020 në raport me një vit më parë. Raportimet e kompanive pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare treguan se në total ato ishin 33.45 miliardë lekë apo rreth 270 milionë euro. Vetëm për kompanitë celulare raporti tregon se kemi një rënie me 9 për qind të të ardhurave në vitin 2020 në raport me një vit më parë ku në total ato ishin 23.9 miliardë lekë. AKEP vlerëson se këto të dhëna mund të ndryshojnë më vonë pas raportimit të auditimit.

Ndërkohë lidhur me shkaqet e rënies së të ardhurave AKEP rendit  së pari uljen e volumit të thirrjeve kombëtare/ndërkombëtare si rezultat i përdorimit masiv të aplikacioneve OTT (whatsapp, viber, etj.) të cilat kanë pasur një zhvillim të vrullshëm vitet e fundit si rezultat i zhvillimeve teknologjike dhe përmirësimit të cilësisë së internetit.  Së dyti rënia e të ardhurave të gjeneruara nga shitja e paketave bundles me pakicë. Nga ana tjetër kompanitë kanë vijuar me investimet në rrjet që për vitin 2020 ishin 6.9 miliardë lekë.

Krejt e kundërt ka qenë situata e të ardhurave për kompanitë që ofrojnë shërbimin e internetit përmes rrjeteve fikse. “Të ardhurat nga komunikimet elektronike, të raportuara nga ofruesit e shërbimeve nga rrjetet fikse për vitin 2020, ishin 9.55 miliardë lekë. Kjo përbën një rritje me rreth 6% krahasuar me vitin 2019. Më shumë se 82% e të ardhurave të këtij tregu gjenerohen nga 7 operatorët kryesorë, që janë: Albtelecom, Abcom (Vodafone), ASC, ATU, Abissnet, Nisatel dhe Digicom. Operatorët e tjerë (OA), edhe pse në numër të konsiderueshëm, përbëjnë rreth 18% të këtij tregu.

Bazuar në raportimet e kryera, përgjatë vitit 2020, sipërmarrësit e rrjeteve fikse kanë kryer 2.76miliardë lekë investime, të cilat janë përdorur kryesisht për përmirësimin e aksesit të shërbimeve broadband” thuhet në raportin e AKEP.

Tregu i shërbimeve elektronike për vitin 2020 punësoi 3.496 persona.

Pandemia rriti përdorimin e internetit

Izolimi dhe karantina në muajt e parë të pandemisë dhe më pas masat e distancimit pavarësisht rihapjes rritën përdorimin e internetit. AKEP vëren se situata e krijuar nga pandemia, telepuna dhe zhvillimi i mësimit online kanë nxjerrë në pah më shumë se kurrë nevojën jo vetëm për akses në shërbimet e internetit.

“Gjatë vitit 2020, trafiku i internetit broadband nga rrjete fikse arriti në rreth 600 milionë GB, ose rreth 32% më shumë se viti 2019, çka tregon se pajtimtarët e këtij shërbimi kanë shfrytëzuar këtë rrjet për të aksesuar shërbimet e tyre, financiare, informative, sociale, shëndetësore, etj.

Volumi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në rrjetet mobile, arriti në rreth 89 milionë GB. Kjo përbën një rritje rreth 28.6% krahasuar me vitin 2019.

Rritja e përdorimit të internetit nëpërmjet telefonave celularë evidenton faktin se tashmë telefonat celularë të pajisur me karta SIM e kanë ridimensionuar rolin e tyre duke kaluar nga përdorimi tradicional për kryerjen e thirrjeve zanore, drejt ofrimit të aksesit të gjerë në botën virtuale (shfletim informacionesh, transmetim të dhënash, kryerje e thirrjeve audio/video, sms, etj.)” thuhet në raport.