Olsian Çela nga Vlora . “Ju kërkova prokurorëve të hetojnë sa më shpejt vrasjen e Elbasanit…

Kryeprokurori Çela zbarkon në Vlorë, ja çfarë thotë për vrasjen në Elbasan

Pas takimit të zhvilluar sot në Prokurorinë e Fierit, prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, ka zbarkuar në Vlorë. Pas takimit me prokurorët e Vlorës, kryeprokurori tha për mediat se edhe aty dy temat kryesore të diskutimit ishin krimi zgjedhor dhe pastrimi i parave.

“Krimi zgjedhor, që është një prioritet i ditës. Ju është kërkuar të gjitha prokurorive që të jetë në prioritet hetimi i shpejtë dhe i plotë i tyre. Prokuroria e Vlorës ka një ngarkesë më të ulët, ka më pak kallëzime për këto vepra, por ato kanë rëndësi. Ndaj ju është kërkuar prokurorëve që t’i përfundojnë këto hetime sa më shpejt. Mbetet thelbësore sigurimi i transparencës.

Sa i përket pastrimit të parave, mbetet një shqetësim real dhe konstant. Ka qenë në qendër të vëmendjes të punës së Prokurorisë përgjatë gjithë vitit 2021. Për fat të keq shohim ende se ka shqetësime, probleme, në komunikimin institucional, në bashkëpunimin mes agjencive të ndryshme ligjzbatuese dhe administratës publike. Vlerësojmë se ka vend për përmirësim, ka nevojë për përgjegjshmëri më të lartë. Prokuroria duhet të marrë një rol aktiv për të angazhuar të gjitha institucionet. Prokuroria do të bëjë pjesën e vet, por ka nevojë të bëhet më shumë nga agjencitë e tjera. Dita e sotme shërbeu për të nxjerrë në pa shumë probleme, që do të ndiqen në vijim nga prokuroria”, tha kryeprokurori.

I pyetur se çfarë ka bërë prokuroria pas vrasjes në Elbasan, kryeprokurori Çela theksoi se “Sa i përket krimit, duhet të jemi të qartë në lidhje me ndarjen e përgjegjësive. Fenomenet e krimit të organizuar patjetër që janë në qendër të vëmendjes së Prokurorisë së Elbasanit. Kemi kërkuar që çështjet të kalojnë te Prokuroria e Posaçme. Është e vështirë të hetohet krimi i organizuar, por prokuroritë duhet të kenë fokusin. Ka nevojë për perfeksionim në çdo rast, por mendoj se aktualitet i ditës është krimi zgjedhor”.