Organizohet në Tiranë ceremonia e hapjes së “Shkollës Rinore Ballkanike”, një urë tjetër lidhëse mes Shqipërisë dhe Turqisë

“Shkolla Rinore Ballkanike 2021” ka filluar prej disa ditësh dhe seminaret ku marrin pjesë të rinj që studiojnë në degë të ndryshme në Shqipëri do të zhvillohen për 6 javë radhazi.

Është organizuar sot në Tiranë ceremonia e hapjes së “Shkollës Rinore Ballkanike”, e cila po zhvillohet në ambientet e Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi (TUMED). Në këtë ceremoni ku merrte pjesë Koordinatori për Ballkanin pranë Kryesisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) Mehmet Nedim Aslan, është folur për projektet që YTB është duke realizuar si dhe në veçanti për projektin e “Shkollës Rinore Ballkanike”.

Në një fjalim të mbajtur në këtë ceremoni, Këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Metin Bulut, foli për projektet që YTB ka zhvilluar deri më sot dhe më pas shtoi se puna e këtij institucioni është një promovim dhe një punë shumë e madhe që i bëhet historisë tonë të përbashkët 500 vjeçare që nga koha e shtetit osman dhe deri në ditët e sotme.

Ndërkohë më pas, në një fjalim përshëndetës edhe Kryetari i TUMED, Egert Haxhiu tha se programi i Shkollës Rinore Ballkanike synon të sjellë në vëmendje dhe të analizojë shumë çështje në fushën e kulturës, arsimit dhe politikës. Ndër të tjerat Haxhiu ka dhënë informacione edhe për vetë Shoqatën TUMED dhe duke vënë në dukje se ajo është hapur në vitin 2018, ai ka radhitur aktivitetet e saj si dhe ka theksuar se ky institucion ka punuar fort për për të forcuar lidhjet e ngushta me Turqinë.

Fjalën kryesore në këtë program e mbajti përfaqësuesi i YTB-së, Aslan, i cili fillimisht dha informacion rreth projekteve të YTB-së ku theksoi se projekti më i rëndësishëm i institucionit që ai përfaqëson është ai e Bursave të Turqisë, ndërsa tha se vetëm vitin e shkuar mbi 165 mijë nxënës nga 170 vende të botës kanë aplikuar për të studiuar në Turqi përmes këtij projekti. Aslan, duke folur për projektin e “Shkollës Rinore Ballkanike” tha: “Ndërmjet këtij programi kulturor ose arsimor jemi duke krijuar një urë lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë. Këtë program këtë vit po e zhvillojmë njëkohësisht në dy qytete, edhe në Shkodër edhe në qytetin e Tiranës”.

Në aktivitet ishin të pranishëm koordinatorja e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) në Tiranë, Emine Gizem Başkan, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, koordinatori për Ballkanin në YTB, Mehmet Nedim Aslan, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Metin Bulut, kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi të Shqipërisë (TUMED), Egert Haxhiu, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

“Shkolla Rinore Ballkanike 2021” ka filluar prej disa ditësh dhe seminaret ku marrin pjesë të rinj që studiojnë në degë të ndryshme në Shqipëri do të zhvillohen për 6 javë radhazi. Programi i saj konsiston në organizimin e një cikli seminaresh ku trajtohen tematika kulturore, filozofike, historike etj.. Ajo ka nisur disa vite më parë, ndërsa në Shqipëri vitet e kaluara është organizuar në qytetin e Shkodrës. Prej këtij viti projekti zhvillohet edhe në Tiranë, si dhe në shumë qytete të tjera ballkanike.