Organizohet program festiv digjital me rastin e Festës Kombëtare të Turqve të Kosovës

Me mesazhe urimi, pjesëmarrës në program ishin edhe ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti

Festa e 23 Prillit e Komunitetit Turk në Kosovë, këtë vit u shënua me një program të transmetuar përmes plaformave digjitale për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në programin festiv të organizuar nga Unioni i Shoqatave Turke të Kosovës, me mesazhe urimi morën pjesë ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Fikrim Damka, kryetari i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Abdullah Eren, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Maqedonisë së Veriut (TDP), Beycan İlyas, artistët turq Orhan Gencebay dhe Metin Şentürk, përfaqësues të shumtë politikë dhe zyrtarë të tjerë.

Ministri i Jashtëm Çavuşoğlu deklaroi se për shkak të pandemisë së koronavirusit, ai nuk ishte në gjendje të realizonte vizitën në Kosovë, të cilën e kishte planifikuar me rastin e Ditës Kombëtare të Turqve të Kosovës.

“Sinqerisht uroj Ditën Kombëtare të të gjithë Turqve të Kosovës dhe 23 Prillin, Ditën e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditën e Fëmijëve. Ne jemi përpjekur të jemi me popullin e Kosovës me gjitha ndihmat tona në këtë periudhë të vështirë. Edhe në të ardhmen, ne do të vazhdojmë të jemi me të gjithë vëllezërit tanë që jetojnë në Kosovë”, tha Çavuşoğlu.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se komuniteti turk në Kosovë gjithnjë ka qenë në gatishmëri për bashkëpunim, duke shtuar se me këtë rast, ai ua uron festën këtij komuniteti, pikërisht në datën kur shënohet edhe 100-vjetori i themelimit të Parlamentit të Turqisë.

“Turqia është një fuqi shumë e rëndësishme, jo vetëm ushtarake, e posaçërisht në NATO. Ajo është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Na ka ndihmuar edhe gjatë luftës, edhe pas luftës, edhe për zhvillim, edhe për paqe”, tha Kurti, duke shprehur dëshirë që marrëdhëniet të zhvillohen tutje në ekonomi, arsim dhe shëndetësi.

Ndërkaq, kreu i YTB-së, Eren, duke shprehur urime për Festën Kombëtare të Komunitetit Turk të Kosovës, tha se turqit janë komunitet shembullor me sjelljet që shfaqin, kudo qofshin në botë.

Ndërkaq, Damka tha se komuniteti turk do të vazhdojë të japë kontribut për zhvillimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Turqisë.

Ambasadori Sakar, në mesazhin e tij e vlerësioi si shumë të rëndësishëm komunitetin turk të Kosovës, duke thënë se ata përbëjnë urën më të fuqishme midis dy vendeve.

Programi festiv përfundoi me mesazhe të dërguara nga artistë nga Kosova dhe Turqia dhe me performime të drejtpërdrejta muzikore.

Ndryshe, komuniteti turk i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, shënon 23 prillin si festë kombëtare, me ç’rast organizohen manifestime të shumta kulturore dhe artistike në mbarë vendin.

Njëkohësisht, 23 prilli në Turqi paraqet përvjetorin e themelimit të parlamentit turk 100 vjet më parë, dhe në atë vend kjo ditë shënohet si Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Dita e Fëmijëve.