Pagesat me para elektronike, në rritje të shpejtë edhe këtë vit

Pagesat me para elektronike po rriten me ritme të shpejta edhe këtë vit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për gjysmën e parë të vitit 2021 numri total i pagesave me para elektronike arriti në 2.95 milionë, shifër kjo sa 78% e numrit të transaksioneve të realizuara gjatë të gjithë vitit 2020. E matur si mesatare mujore, deri tani gjatë vitit 2021 numri i transaksioneve ka qenë 492 mijë pagesa, ndërsa për vitin e kaluar numri mesatar mujor i transaksioneve kishte qenë rreth 316 mijë.

Rritje vërehet edhe në shumën e transaksioneve me para elektronike, që mesatarisht për 6-mujorin e parë të vitit ka qenë 1.26 miliardë lekë në muaj, nga 899 milionë lekë që kishte qenë mesatarja mujore e vitit 2020.

Rritja e përdorimit të këtyre pagesave po shoqërohet edhe me një zgjerim të shpejtë të infrastrukturës teknologjike që ato shfrytëzojnë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti numri i terminaleve për përdorimin e parasë elektronike arriti në 2025, nga 1600 që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.

Pagesat me para elektronike i referohen transaksioneve të kryera përmes institucioneve financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë për këtë shërbim. Në thelb, pagesa me para elektronike është një formë pagese e ngjashme me pagesën me kartë bankare, por ndryshimi kryesor është se këto transaksione nuk kryhen përmes kartave dhe POS-eve të sektorit bankar, por nëpërmjet infrastrukturës së institucioneve të licencuara të parasë elektronike.

Banka e Shqipërisë ka nisur raportimin e statistikave të detajuara të pagesave me para elektronike nga viti 2017, kur u raportuan pak më shumë se një milionë transaksione. Për vitin 2020, numri vjetor i transaksioneve arriti në 3.8 milionë ose gati 3.8 herë më shumë.

Rritja e përdorimit të parasë elektronike reflekton një rol në rritje brenda tregut shqiptar të institucioneve financiare të pagesave të licencuara për këtë qëllim. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, Shqipëria ka aktualisht katër institucione financiare të licencuara për emetimin e parasë elektronike, Union Financiar Tiranë, EasyPay, Posta Shqiptare dhe Paysera Albania.

Vlerësohet se ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, që është përshtatur në frymën e Direktivës II të pagesave të Bashkimi Europian, do të krijojë hapësira për një zhvillim edhe më të shpejtë të parasë elektronike dhe të institucioneve që ofrojnë pagesa të këtij lloji. Ligji ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti, por në praktikë ende nuk është i zbatueshëm, në pritje të daljes së akteve të nevojshme nënligjore, që po përgatiten nga Banka e Shqipërisë./E.Shehu