Pasardhësja e Alitalia-s, ITA Airways kryen fluturimin e parë

Kompania Kombëtare Ajrore e Italisë, ITA Airways, realizoi të premten e kaluar fluturimin e saj inaugurues, duke zbuluar edhe markën dhe logon e ricikluar nga tri ngjyrat e kuqe, e bardhë dhe e gjelbërt të trashëguara nga Alitalia, në përpjekje për të krijuar një të ardhme të re, në garë me kompanitë e tjera ajrore low-cost.

ITA, shkurtimi i togfjalëshit “Italy Air Transport”, u prezantua zyrtarisht pas falimentimit të Alitalia-s, fluturimi i fundit i të cilës u realizua mbrëmjen e të enjtes (14 tetor), duke i dhënë fund kështu historisë së një biznesi 74-vjeçar, të karakterizuar nga një varg problemesh financiare, veçanërisht në vitet e fundit. Protestat dhe grevat shoqëruan mbylljen e Alitalia-s për shkak se kompania e re ITA Airways ka punësuar vetëm ¼ e më shumë se 10 mijë punonjësve të Alitalia-s. Sakaq vijojnë ende negociatat me sindikatat. ITA pagoi 90 milionë euro për të drejtat e markës Alitalia dhe për webin, megjithëse kompania e re ajrore do të quhet tashmë ITA Airways dhe do të ketë web-in e saj zyrtar bashkë me një program të ri fluturimesh të pagëzuar me emrin “Volare”.

“Zgjedhja për të ndryshuar emrin nuk do të thotë se po mohojmë të kaluarën, por po shndërrohemi në përputhje me atë çka kërkon koha” – tha presidenti i ITA-s, Alfredo Altavilla.

Gjatë konferencës prezantuese të kompanisë ajrore, Altavilla këmbënguli se reduktimi i ndjeshëm i përmasave të ITA-s, duke përfshirë këtu flotën, fuqinë punëtore dhe destinacionet, e bën atë më konkurrues me kompanitë e tjera low-cost, teksa ofron një shërbim më të mirë, me më shumë vlera dhe mundësi ndërlidhje.

“ITA Airways ka lindur në madhësinë e duhur, sa i takon flotës dhe destinacioneve” – shtoi ai – “Ne nuk mbajmë mbi vete trashëgiminë e vështirë që na la pas të qenurit shumë të mëdhenj në disproporcion me realitetin ekonomik”

Altavilla nuk e priti aspak mire kur u pyet nga gazetarët mbi parashikimet e bëra nga kompanitë low-cost për mundësinë e falimentimit të ITA Airways.

“Ata mund të kenë absolutisht të drejtë kur thonë se për ne do të jetë e vështirë, por unë jam kurioz të shikoj një ditë të bilancit të tyre arkëtim – humbje, pa mbështetjen që kanë marrë përmes subvencioneve të institucioneve lokale dhe aeroporteve të vogla këtu në Itali” – vuri në dukje Altavilla.

Fluturimi i parë i ITA-s u regjistrua në orën 6:20 minuta të mëngjesit nga aeroporti i Milanos në qytetin bregdetar të Barit. Në total, ITA kryen fluturime në 44 destinacione dhe synon që brenda 4 vitesh të rris këtë numër në 74 destinacione.

Kompania planifikon të operojë me fluturime nga New York-u për në Milano dhe Romë si dhe nga Tokio, Boston dhe Majemi për në Romë. Sakaq mes destinacioneve europiane përfshihen edhe Parisi, Londra, Amsterdami, Brukseli, Gjeneva dhe Frankfurti.

Destinacione të reja janë planifikuar në të ardhmen edhe për në Amerikën e Jugut dhe Los Anxhelos./Associated Press