12.5 C
Tiranë
E hënë, 29 Nëntor, 2021

Perëndimi dhe Shqipëria dënojnë Bjellorusinë për krizën me emigrantë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane, përfshi Shqipërinë, dënuan Bjellorusinë të enjten gjatë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për “instrumentalizimin e orkestruar të qenieve njerëzore”, pas krizës së shkaktuar me emigrantë në kufirin e saj me Poloninë.

“Ne dënojmë instrumentalizimin e orkestruar të qenieve njerëzore, jetët dhe mirëqenia e të cilëve janë vënë në rrezik për qëllime politike nga Bjellorusia, me objektivin për të destabilizuar vendet fqinje dhe kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe për të larguar vëmendjen nga shkelja e drejtave të njeriut”, tha ambasadori i Estonisë Sven Jürgenson në emër të shtatë vendeve perëndimore.

SHBA-ja, Britania, Estonia, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria thanë se jetët dhe mirëqenia e njerëzve janë vënë në rrezik “për qëllime politike nga Bjellorusia”.

“Kjo taktikë është e papranueshme dhe kërkon një reagim të fortë ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Regjimi i udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, është duke u bërë kërcënim për stabilitetin rajonal, thanë ata.

Udhëheqësit e BE-së e kanë akuzuar Minskun për tërheqjen e emigrantëve nga konfliktet dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe më pas shtyrjen e tyre drejt kufijve me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë – vende anëtare të BE-së.

Sipas Brukselit, Bjellorusia e bën këtë për t’u hakmarrë për sanksionet që i ka vënë BE-ja.

Rreth 2,000 emigrantë janë përpjekur të kalojnë kufirin për muaj të tërë, por kriza është thelluar më 8 nëntor, kur qindra njerëz kanë bërë përpjekje të përbashkëta për të kaluar kufirin, ndërsa janë shtyrë prapa nga rojet kufitare polake.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko paralajmëroi të enjten se mund të ndërpresë rrjedhën e gazit rus që përmes vendit të tij arrin në Evropën Perëndimore.

Deklarata e Lukashenko erdhi teksa BE bëhet gati të vendosë sanksione të reja ndaj Bjellorusisë, të cilën e akuzon për orkestrimin e një “sulmi hibrid” ndaj Bllokut, duke inkurajuar emigrantët që të hyjnë në territorin evropian.

Por paralajmërimi i presidentit bjellorus ka ngritur edhe shqetësime lidhur me çmimet e larta të energjisë në Evropë, që kanë prekur konsumatorët dhe industritë.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme