Dështon mocioni i mosbesimit ndaj Zoran Zaev

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do ta vazhdojë punën e saj, pasi opozita nuk i ka siguruar votat e nevojshme për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Zoran Zaev.

Rreth mesnatës, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka mbyllur seancën duke konstatuar se në mungesë të deputetëve të opozitës që paraqitën nismën, si dhe mungesës së kuorumit të nevojshëm, Kuvendi nuk e ka votuar nismën e saj.

Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare janë larguar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, pasi nuk arritën të sigurojnë 61 vota për të votuar mocionin e mosbesimit të Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev.

VMRO DPMNE-ja dhe partitë shqiptare në opozitë e kanë akuzuar pushtetin për siç kanë thënë “rrëmbimin e Kastriot Rexhepit, deputetit të Lëvizjes Besa”, gjë që i ka pamundësuar opozitës të ketë 61 vota të deputetëve për mbajtjen e seancës, e cila ndërkohë është bojkotuar nga partitë në pushtet, për të pamundësuar sigurimin e votave të nevojshme.

Vetë Rexhepi, i cili gjatë ditës së djeshme vendosi të mos i bashkohej opozitës për votimin e mocionit, ndryshe nga çfarë kishte deklaruar më herët, në një reagim në rrjetet sociale ka thënë se është në anën e shqiptarëve, BE-së dhe NATO-s.

Sipas përcaktimeve kushtetuese, opozita në 90 ditët e ardhshme nuk do të mund të paraqesë mocion të ri mosbesimi ndaj Qeverisë.

E gjithë kjo situatë u krijua pas deklaratës së kryeministrit Zaev më 31 tetor se do të jepte dorëheqjen si kryeministër dhe si kryetar i partisë LSDM për shkak të humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet lokale.

Po më 9 nëntor LSDM-së vendosi që dorëheqja e Zaevit të shtyhet, çka nxiti opozitën për mocion mosbesimi në parlament.