Përfundon mbledhja në selinë blu, Berisha: Basha, thjesht deputet

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha këtë të hënë deklaroi se Lulzim Basha tashmë është një deputet dhe anëtar grupit parlamentar të kësaj partie.

Berisha e konsideroi këtë konferencë si më të veçantën nga të gjitha.

Nga të gjitha konferencat e shtypit të karrierës time 30 vjeçare ju garantoj se kjo konferencë është me e veçanta nga gjithë të tjerat. Kjo konferencë mbahet sot pas Kuvendit Kombëtar të rithemelimit të PD. Ngjarje kjo absolutisht unike si monument lirie e grave, vajzave dhe burrave të lirë”, tha ai.

Ai e quajti Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit si një nga kuvendet më perëndimore në rrafshin e vlerave demokratike që sanksionoi në Kushtetutën e PD-së.

Jehona e këtij Kuvendi, siç ishte unik në llojin e tij është e jashtëzakonshme në çdo votër dhe zemër shqiptari”, tha ai.

Ish-kryeministri Berisha u bëri edhe një thirrje të gjithë demokratëve, deputetëve dhe kryetarëve të degëve t’i bashkohen rithemelimit të partisë, duke u kujtuar atyre se vlerat dhe kontributet e dhëna nuk do të hidhen poshtë.

Unë i ftoj të bashkohen, duke u thënë se kontributi i tyre do të vlerësohet. Vendi i tyre është aty ku janë idealet më fisnike dhe jo tek një parti, ku dy muajt e fundit, deputeti Basha e katandisi në një parti të ekstremit të majtë”, tha Berisha.

Ish-lideri historik është ndalur edhe tek mbledhja e kësaj të hënë, duke treguar se sot u miratua një komision për të drejtuar punën për organizimin e referendumit.

Një komision u miratua sot këtu për të drejtuar referendumin, bazuar në punën e shkëlqyer që ju e patë vetë. Do bëjmë gjithçka që të afrojmë sa më shumë kutitë e votimit me anëtarësinë”, tha ai.

Berisha akuzoi Lulzim Bashën edhe për kryerjen e disa akteve që të çojnë në nivelin e një krimi elektoral. Ai tha se me urdhër të Bashës janë mbledhur kartat e anëtarësisë për votim, duke mos ua kthyer më ato.

Ka mbledh kartat dhe nuk ua ka kthyer kartat e anëtarësisë. Ky është një akt që ngjitet në nivelin e një krimi elektoral. Nuk ka njeri që mund të pengojë duke u marrë kartat e anëtarësisë”, tha Berisha.

Berisha është ndalur edhe tek referendumi i datës 18 dhjetor, duke u shprehur se pritet një rezultat i shkëlqyer.

Ne presim një rezultat të shkëlqyer me datë 18, sikundër ftoj çdo demokrat që atë ditë të firmosë aktin madhor të pushtetit të vullnetit të anëtarit të PD-së me normat e reja të lirisë dhe ta dënojë me injorim anti-Kuvendin e shoqatës Basha-Bardhi, si një nga turpet më të mëdha të historisë së Evropës dhe njerëzimit në rrugën e demokracisë. Unë pres që deputetët të mos bëhen bashkëpunëtor në një akt të pashembullt të pluralizmit me një vendim anti-statutor për hallin e karriges personale të Lulzim Bashës”, tha ish-lideri historik i PD.