Përplasje titanësh në Champions League, Bajerni pret Barcelonën në shtëpi

Dy nga klubet më të mëdha të Evropës përplasen të martën mbrëma në Champions League. Bajerni i Mynihut do të presë Barcelonën, në kuadër të ndeshjeve të grupit C.

Ekipi gjerman e nisi turneun me një fitore 2-0 ndaj Inter të mërkurën e kaluar, ndërsa Barcelona fitoi 5-1 ndaj Viktoria Plzen në “Camp Nou”.

“Nëse e fitojmë këtë ndeshje do të kemi 6 pikë dhe do të bëjmë një hap të madh drejt raundit tjetër. Natyrisht, kjo do të arrihet nëse mundim Interin dhe Barcelonën në ndeshjet e kthimit dhe për këtë po punojmë. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm për aftësitë e kundërshtarëve”, u shpreh Thomas Mueller, sulmues i Bajernit të Mynihut.

Bayern u eliminua papritur në çerekfinalet e sezonit të kaluar të Champions League nga Villareal, por ata janë 6 herë fitues të këtij kompeticioni, me suksesin e fundit të regjistruar në vitet 2019-2020, kur mposhtën 1-0 Paris San Zhermen në finale.

Nga ana tjetër, Barcelona dështoi të kalonte fazën e grupeve sezonin e kaluar, për herë të katërt në historinë e saj.

Por Bajern-Barcelona nuk është e vetmja sfidë që luhet të martën. Paralelisht me të do të luhet Viktoria Plzen-Inter, e vlefshme po për grupin C, si dhe Liverpul-Ajaks, e vlefshme për grupin A.

Ndërsa të mërkurën përballë do të jenë Rejnxhërs-Napoli, sërish e grupit A; si dhe Leverkusen-Atletiko dhe Porto-Klub Bryzh, të vlefshme për grupin B.

Takimet të tjera do të jenë ato mes Sporting dhe Totenhem dhe Marsejë-Frankfurt, ekipe të grupit D.