1 për qind e të prekurve nga kanceri i gjirit janë meshkuj

Që prej 1991, fjongoja rozë është simbolika e kancerit të gjirit, rozë si ngjyra simbol e gjininë që prek më shumë. Por burrat nuk janë imunë prej këtij lloj kanceri. As ata shqiptarë.

Manjola Luzi, Shefe e Klinikës së Onkologjisë Durrës thotë se ka hasur 3-4 pacientë meshkuj të prekur nga kanceri i gjirit.

“Ka ndodhur dhe me thënë të drejtën është pritur me shumë habi momenti i komunikimit të diagnozës”,  thotë Kleida Mati, mjeke onkologe.

Fakti që vetëm 1% e të prekurve me kancer gjiri janë meshkuj, e bën njohurinë mbi për të pothuajse inekzistente. Por si shfaqet kanceri i gjirit tek meshkujt? A ndryshon ai nga i femrave?

“Në rastin se ka një formacion ose sheh një gjëndër, ose një ndryshim në gjirin e tij ky duhet të kontrollohet”, thotë mjekja Mati.

“Ndryshime të lëkurës, tërheqje të saj, dëmtime të saj, skuqje të lëkurës, nëse ka sekrecione me ngjyrë të kuqe nga gjiri, hemorragjike, patjetër edhe kjo është një shkak”, shpjegon mjekja Manjola Luzi.

1 në 8 gra është e rrezikuar të preket nga kanceri i gjirit të paktën një herë në jetën e saj. Tek meshkujt raporti është 1 në 833.

“Gjendja e ankthit është përcaktuar më e lartë tek meshkujt që vuajnë nga kjo sëmundje se sa femrat, ndoshta për shkak të pranimit, për shkak të perceptimit dhe për ta pranuar faktin që ekziston, thotë Erida meta, psikologe klinike.

Kryesisht janë burra mbi 50 vjeç ata zhvillojnë këtë lloj kanceri. Ne tentuam të komunikojmë me disa prej tyre, por për shkak të drojës nuk pranuan të ndanin historinë e tyre.

Nëse nëna ka vuajtur nga kanceri i gjirit, mundësinë për ta trashëguar e kanë si djali dhe vajza. Po ashtu, personat që vuajnë nga sëmundje që çrregullojnë balancat midis hormoneve femërore dhe mashkullore, janë të rrezikuar.

“Nëse kanë pasur babain, mund të jenë bartës të mutacioneve gjenetike, kanë predispozicion të parët për të zhvilluar kancer gjiri”, thotë mjekja Manjola Luzi.

Gjatë 2020-s, në Shqipëri u diagnostikuan me kancer gjiri 936 gra. Duke iu referuar statistikës botërore, 9 mendohet të jetë numri i meshkujve të prekur gjatë vitit të shkuar. Por kjo nuk mund të thuhet qartë për aq kohë sa në Shqipëri nuk ka një statistikë zyrtare për këtë.