Të dielën ndryshon ora

Duke filluar nga dita e Diel, akrepat e orës do të lëvizin 60 minuta prapa, duke u kthyer në njehsimin dimëror të kohës. Në orën 03.00 të mëngjesit, akrepat do të kthehen 60 minuta prapa dhe do të tregojnë orën 02:00.

Ndërrimi i orës është një procedurë që bëhet zyrtarisht me vendim qeverie, dy herë në vit, gjatë muajve Tetor dhe Mars, të Dielat e fundit të tyre. Ndryshimi i orës bëhet për shkak të kursimit të energjisë elektrike, me qëllim të shfrytëzimin më të madh të energjisë diellore. Ndërrimi i tillë i orës e ka fillesën në shekullin XVIII, kur Benjamin Franklin hodhi idenë e kohës që ndjek diellin.

Ky ndryshim u bë standard që nga viti 1974, pas krizës së parë të madhe të naftës. Në Europë, ndryshimi u vendos në vitin 1981, ndërsa në vitin 2001, Bashkimi Europian vendosi që duke filluar nga viti 2002 ora të ndërrohet të Dielën e fundit të Tetorit dhe të Dielën e fundit të Marsit. U zgjodh dita e Diel për t’i lejuar njerëzve të mësohen me orën e re dhe për të evituar vonesën ose mbërritjen më shpejt në punë.

Nga viti 1996, të gjitha vendet e Bashkimit Europian, Zvicra dhe vendet e Europës Lindore, adoptojnë të njëjtin kalendar për orën ligjore, pavarësisht polemikave të disa shteteve. Në verën e vitit 2018, Parlamenti Europian miratoi heqjen e detyrimit për shtetet anëtare që të kalojnë nga një orë në tjetrën dy herë në vit. Çdo shtet tashmë është i lirë për të vendosur nëse do të mbajë vetëm orën ligjore, atë diellore, apo do të vijojë me ndryshimet dy herë në vit. Shtete si Polonia dhe Finlanda kërkojnë të vendosin orën ligjore, ndërsa ato të Europës Jugore, orën diellore.

Franca, nëpërmjet një referendum është shprehur për ta mbajtur orën diellore gjithë vitin. Italia, mbështet më shumë idenë e ndryshimit të orës dy herë në vit, sidomos për shkaqe ekonomike. Ora diellore do të mbetet në fuqi deri në fundjavën e fundit të marsit 2022, kur sërish akrepat do të lëvizin 60 minuta përpara.