Pezullohet fluturimi nga Milano drejt Tiranës/ Qindra pasagjerë shqiptarë të bllokuar në Malpensa që mbrëmë: Pa ujë e ushqime, asnjë sqarim! (Momente tensioni nga aeroporti)

Kaos në aeroportin Malpensa në Milano. Një numër prej 275 pasagjerësh, të linjës “Wizzair” e cila pritej të nisej drejt Tiranës, kanë mbetur të bllokuar në këtë aeroport.

Kanë qenë vetë pasagjerët shqiptarë që kanë denoncuar rastin pranë agjencisë së lajmeve ‘BalkanWeb’, ndërsa sqarojnë se udhëtarëve nuk iu është dhënë asnjë informacion. Sipas tyre, mes pasagjerëve ka edhe shumë fëmijë të mitur, të cilët qëndrojnë në pritje që prej ditës së djeshme në sallat e check-in, ndërsa iu mungon edhe ushqimi. Mes të tjerash ata sqarojnë se justifikimi i parë për pezullimin e fluturimit ishte fakti që kishte furtunë.

“Linja e Milanos, Malpensa ka qysh dje qe nuk niset. 260 persona janë lënë në harresë pas sportelit të check-in, pa sqarime. Pa ushqime dhe pa ujë, vetëm në një ambient të vogël. Askush nuk prononcohet nga stafi i aeroportit, sikur të jemi dele. Pastaj mos të flasim për COVID-in, s’ka asnjë distancë.

Fëmijëve të vegjël iu dhanë nga një shishe ujë.”, u shpreh një prej pasagjerëve shqiptarë. ‘BalkanWeb’ ka siguruar edhe një video ku shihet se si pasagjerët shqiptarë kërkojnë të irrituar nga pritja e gjatë informacione nga stafi i aeroportit, ndërsa të pranishëm janë dhe punonjës policie. Deri më tani qytetarët shqiptarë nuk kanë marrë asnjë përgjigje se kur do të niset avioni për në Tiranë.