Piku i infektimeve në 2 vjet pandemi, por masat anti-COVID nuk ndryshojnë

Masat anti-COVID në vendin tonë nuk do të ndryshojnë, edhe pse kjo javë ka shënuar pikun e infektimeve në 2 vjet pandemi.

Vendimi u mor nga Komiteti i Ekspertëve i mbledhur të enjten për të shqyrtuar situatën epidemiologjike në vend.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha se niveli i masave mbrojtëse është në përputhje me zhvillimet epidemiologjike në vend, ndaj nuk do ketë ndryshme të kufizimeve anti-COVID.

Më herët, zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini informoi se 2 javët e fundit kanë shënuar pikun më të lartë të infektimeve në vend gjatë dy viteve pandemi.

Kjo, sipas saj shpjegohet me qarkullimin në vend të varianteve të COVID-19 dhe me reflektimin e moszbatimit të masave për grumbullimet gjatë periudhës së festave.

“Ka reflektuar një incidencë javore tepër e rritur, e ndjekur edhe nga një numër i lartë rastesh pozitive. Kjo i atribuohet qarkullimit të dy varianteve, Delta dhe Omicron dhe mosrespektimit të grumbullimeve gjatë festave të fundvitit. Aktualisht në vend qarkullojnë virusi i gripit dhe tre variantet COVID që po bëjnë një transmetueshmëri në vend në nivele të larta. Incidenca javore dhe dyjavore janë shumëfishuar, por kjo nuk është reflektuar tek shtrimet në spital. Kjo incidencë e lartë ka reflektuar pikun më të lartë të pandemisë të hasur në vend në dy vjet”, tha zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini.

Dy ditët e fundit në vend u regjistruan rreth 4000 raste infektimesh, shifra të pahasura që nga nisja e pandemisë.

Masat anti-COVID në fuqi në vendin tonë janë ora policore nga ora 23:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit, përdorimi i detyruar i maskave në ambiente të mbyllura dhe lejimi i grumbullimeve jo më shumë se 50 persona.